Unifikohet faktori politik shqiptar në Mal të Zi, tre subjekte bashkohen në një parti të vetme, Gjeloshaj: Kthejmë një faqe historike
Tre subjekte politike shqiptare në Mal të Zi formalizuan bashkimin në një forcë të vetme politike në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit. Zëvendëskryeministri, njëherazi ministri Ekonomisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, së bashku me aleatët e tij paraqiti objektivat e subjektit të ri politik të emërtuar Forumi Shqiptar.
“Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi., tha ai.
Gjeloshaj theksoi se ky bashkim është menduar si një investim politik për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë. Duke folur për rëndësinë e unitetit, Gjeloshaj tha se sukseset arrihen më lehtë kur ekziston bashkëpunim dhe një strategji e përbashkët. Ai përcolli gjithashtu mesazhin se bashkimi dhe koordinimi janë të domosdoshëm për përballimin e sfidave politike dhe për avancimin e proceseve evropiane të shqiptarëve kudo që jetojnë.
/rtsh.al/
Gazetar: A.Mata/ Pamjet: EBU; AFP/ Montazh: E.Methasani
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




