Vaksinimi ndaj Covid-19, Shtëpia e Bardhë inkurajon amerikanët të marrin dozat përforcuese

Shtëpia e Bardhë u ka bërë thirrje amerikanëve që të marrin doza përforcuese të vaksinave COVID-19 kur ato të bëhen të disponueshme muajin e ardhshëm, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një valë të re të infeksioneve me nënvariantin Eris. “Ne besojmë se jemi përgatitur për vjeshtën. Besojmë se jemi në një pozicion më të mirë se kurrë në luftën kundër COVID-19. Dhe kjo është për shkak të punës që ka bërë presidenti”, u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, gazetarëve. Ajo shtoi se vaksinat kundër COVID-19 mbeten mbrojtja më e sigurt për shmangien e shtrimit në spital dhe pasjen e rezultateve të mira afatgjata shëndetësore.
Doza të reja përforcuese të vaksinave pritet të jenë të disponueshme në mes të shtatorit.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shtrimet në spital dhe vdekjet në lidhje me COVID-19 u rritën me më shumë se 20 për qind në gusht.
Eris, nënvariant i omicronit, tani përbën rreth 20 për qind të të gjitha infeksioneve të konfirmuara COVID-19, duke e bërë atë llojin dominues që qarkullon në SHBA.
Gazetar: Artur Mata
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




