Varreza masive në Zubin Potok, Kurti: Identifikohen tre viktima, i përkasin ‘Grupit të Intelektualëve’

Kosovë | 30 minuta më parë

Kreu i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti bëri me dije se kanë dalë rezultatet e  para të ADN-së të mbetjeve mortore të gjetura në varrezat masive që u zbuluan në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Përmes në mesazhi të publikuar në Facebook, kryeministri thotë se tre nga viktimat e konfirmuara u përkasin  personave të njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës” të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

“E vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe dhënien e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”- shkruan Kurti në rrjetin social.

Kryeministri i Kosovës nuk zbuloi identitetet e vikimave, por tha se familjet e tyre janë njoftuar tashmë. “Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh, asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”- nënvizoi Kurti. Njoftimi i tij vjen rreth dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në dy komunat në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të të paktën 23 personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme