Veliaj në Uashington, pritet nga kryetari i Senatit Schumer: Krenar që Shqipëria vlerësohet nga SHBA si aleate serioze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ditën e dytë të vizitës në Uashington, u prit në Capitol Hill nga kryetari i Senatit Amerikan, Chuck Schumer. Kryebashkiaku e konsideroi Schummer një ndihmues të madh të Shqipërisë.
“Shumë i nderuar që takova kryetarin e shumicës në Senatin Amerikan, senatorin Schummer në Capitol Hill. Ai meriton numrin 10 për zgjidhjen e problemeve të komunitetit, sidomos për komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe më gjerë. Jemi krenarë që e kemi mik të mirë dhe aleat”, tha Veliaj, i cili i dhuroi Senatorit Schummer edhe një fanellë të kombëtares shqiptare me numrin 10..
Në vijim të axhendës së tij, Veliaj u takua edhe me kongresmenët Robert Aderholt, John Moolenaar, Tom McClintock, si dhe me anëtarët e Kongresit, Brad Sherman, si dhe David Price, të cilëve u dhuroi edhe Kullën e Sahatit të Tiranës.
Kryebashkiaku theksoi se ndihet krenar që Tirana dhe Shqipëria vlerësohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një aleat dhe partner serioz, duke u përfshirë në sfida të përbashkëta globale.
“Kanë qenë ditë intensive në Uashington, një mundësi e shkëlqyer për të treguar modernizimin e Tiranës, se si qyteti ynë sot është Kryeqyteti Europian i Rinisë, por përpara 30 vitesh, kur James Becker erdhi në sheshin “Skëndërbej”, ishte një nga qytetet më të varfra dhe më të izoluara. Kemi dëgjuar fjalët më të mira për qeverinë e Edi Ramës, për mënyrën se si Shqipëria, jo vetëm një aleate besnike, por shumë e zhdërvjellët edhe në menaxhimin e Këshillit të Sigurimit, por edhe për rolin e saj konsolidues, ndërtues dhe pozitiv në rajonin tonë. Jam shumë krenar që Tirana, pavarësisht sfidave që ka pasur, sot ka një reputacion tjetër. Jam shumë krenar që, nga të dyja anët e politikës, edhe nga republikanët, edhe nga demokratët, vlerësimi për Shqipërinë, për rolin e qeverisë dhe për të gjithë frymën konstruktive të shqiptarëve kudo që ata shërbejnë, kudo që ata kontribuojnë në rajon, është i jashtëzakonshëm”, tha Veliaj.
Veliaj tha sa gjatë kësaj vizite ka parë një interes të kompanive amerikane për të investuar në Tiranë, ku po krijohet Zona e Lirë Ekonomike, dhe ftoi këdo investitor ta shfrytëzojë si mundësi.
“Sot jam shumë entuziast edhe për disa kompani amerikane, që po konsiderojnë transferimin e tyre në Tiranë. Tirana ka një leje nga qeveria shqiptare për të operuar një zonë të lirë ekonomike në Kashar. Jemi duke parë disa mundësi të jashtëzakonshme me disa sipërmarrje amerikane që mund të shfrytëzojnë Tiranën edhe për këtë aktivitet ekonomik. Nëse marrëdhënis speciale që kemi me shqiptarët që jetojnë këtu, si një urë kulturore mes dy vendeve, apo raporti special që kemi në fushën e diplomacisë apo me angazhimet tona ushtarake në NATO, i shtojmë edhe një karakter të fortë ekonomik, atëherë ditët tona më të mira i kemi përpara”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Veliaj ndodhet për një vizitë në Uashington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Më herët, ai u prit edhe nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, si dhe nga ish kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




