Veliaj thirrje bashkiakëve të djathtë: Po humbasim kohë me dy shoqata, të unifikohemi!

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetari i Shoqatës për Autonomi Vendore, Erion Veliaj, tha se ka ardhur koha që të gjitha bashkitë e vendit të unifikohen në një shoqatë të vetme, për të pasur një përfaqësim më dinjitoz përpara organizatave ndërkombëtare dhe për t’u shërbyer më mirë qytetarëve. Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës për Autonomi Vendore, Veliaj ftoi tha se është i nevojshëm bashkimi në një shoqatë të vetme. 

“Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në dy koka sepse ka ardhur koha që, përpara se të kërkojmë ndihmë, duhet të ftillohemi njëherë vetë. Thirrja mbetet e hapur: Eja diskutojmë një mënyrë se si t’u japim kolegëve të opozitës më shumë vendimmarrje, bashkëkryesi e bashkëqeverisje të kësaj organizate, sepse në thelb është instrumenti me të cilin marrim fondet. Është mëkat të humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata dhe duke krijuar një kakofoni, sidomos për donatorët e huaj, që s’kuptojnë pse vazhdon kënga e viteve ’90,” u shpreh Veliaj. 

Të njëjtën thirrje përsëriti edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

“Kur mora detyrën, një ndër diskutimet që bëmë me kryeministrin ishte ai ku më tha, “që ta bëjmë të qartë, nuk është qëllimi që të kemi një ministër të bashkive në qeveri, por një ministër të qeverisë në bashki”. E unë besoj shumë fort te koncepti i bashkërendimit të punëve dhe në mënyrë specifike te forcimi i rolit të shoqatës,” u shpreh Mazniku. 

Me rastin e 28 Nëntorit, kryebashkiaku Veliaj lajmëroi një aktivitet të veçantw, Paradën e Shqiptarëve.

Duke qenë në prag të festës së pavarësisë, Veliaj informoi se për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në 28 Nëntor.

“Kemi filluar përgatitjet për Paradën e Shqiptarëve në 28 Nëntorit. Është një traditë që për 15 vite ka ndodhur në Nju Jork dhe ideja e “Albanian Roots” është që ta kthejmë në Shqipëri. Duam që vërtet të jetë një festë e madhe. Kemi kaluar situata shumë të vështira si tërmeti, pandemia, Prandaj është një moment tani për t’u ngritur me kokën lart, duke pasur parasysh që në shumicën e rasteve rikuperimi ka qenë i shpejtë. Kemi bërë ndërtesa e ngrehina, shkolla, institucione më të forta, më të bukura, më të mëdha dhe unë besoj se ky është dhe një moment krenarie në 111-vjetorin e Pavarësisë, ndaj ju ftoj të gjithëve të jeni pjesë e asaj dite të jashtëzakonshme,” u shpreh më tej kreu i Bashkisë.

Vitin e ardhshëm Tirana do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, njohur ndryshe si B40, ngjarje që sipas Veliajt do të jetë një mundësi shumë e mirë për bashkitë shqipfolëse. 

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës për Autonomi Vendore u diskutua mbi financat vendore dhe procesin e decentralizimit. Po ashtu u ngrit dhe një grup pune për vazhdimësinë e procesit të unifikimit të shoqatave.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme