Vendimet e Qeverisë/ Rriten pensionet në nivelin 9.5 %, paga minimale shkon në 34 mijë lekë

Rriten pensionet dhe paga minimale në Shqipëri. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Lajmin e ka njoftuar Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj e cila ka sqaruar se me indeksimin e dytë, rritja e pensioneve shkon në nivelin 9.5 % dhe nga ky vendim do të përfitojnë rreth 678 mijë të moshuar.
“Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit të Ministrave për indeksimin e pensioneve në nivelin 6 % në krahasime çfarë ishin pensionet më parë. Me këtë indeksim të dytë e çojmë rritjen e pensioneve në nivelin 9.5% në krahasim me pensionet që merreshin në fund të vitit të kaluar.
Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve, rreth 678 mijë pensionistë të cilët nga pensioni që do marrin në muajin tetor do të kenë një rritje të pensioneve të tyre në nivelin 9.5 %”, tha Ibrahimaj.
Një tjetër vendim i marrë nga qeveria është dhe rritja e pagës minimale e cila nga 32 mijë lekë, do të shkojë në 34 mijë lekë në muaj.
“Morëm dhe një vendim tjetër për rritjen e pagës minimale. Në muajin prill ne e rritëm pagën minimale në 32 mijë lekë. Me vendimin e sotëm paga do jetë 34 mijë lekë dhe ky është një vendim që prek një numër të madh të punësuarish. Në total kemi rreth 900 mijë qytetarë që përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe nga rritja e pagës minimale”, tha Ibrahimaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




