Vendimi i Strasburgut/ Rama: 21 janari, krim shtetëror. Nuk do mbetet pa u zbardhur

“Krime shtetërore si ai i 21 janarit, vonojnë shumë për t’u zbardhur, por nuk mbeten kurrë pa u zbardhur”, kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në konferencën për media, referuar vendimit të Gjykatës së Strasbugut. Kreu i qeverisë u shpreh se Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, ligjin, edhe me dhembjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave e gjithë shoqërisë.
Rama garantoi se 21 janari nuk do të mbesë pa u zbardhur.
“Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është tallur me përbuzje me Kushtetutën, ligjin, edhe me dhembjen dhe të drejtën e familjarëve të viktimave e gjithë shoqërisë për të njohur deri në fund të vërtetën dhe e ka trajtuar si një leckë një provë të re të dalë para disa muajsh, është koha që drejtësia e re të reagojë pasi dhe ndërkohë qyshse ky krim ka marrë rrugët e prokurorive dhe gjykatave të vendit, ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet apo profilet e zyrtarit të lartë, hetohen me një tjetër strukturë”, tha Rama.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh më 14 nëntor, se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.
Sipas Gjykatës, janë konstatuar dy shkelje të Nenit 2, e drejta për jetën dhe për hetim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve që mbeti i vrarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




