Virozat e stinës në Lezhë/ Ulen shtrimet, asnjë rast me Covid

Me ndryshimin e kushteve atmosferike dhe rënien e temperaturave të larta, paraqitet një gjendje e stabilizuar e fëmijëve me viroza dhe është ulur numri i vizitave e shtrimeve në spital.
Faktin e konfirmon për RTSH mjeku pediatër, Dr. Mark Marku.
“Po ta krahasojmë me ditët që ka pasur temperaturë shumë të larta, numri i fëmijëve që kanë ardhur në urgjencë për 24 orë ka qenë deri 65. Aktualisht kemi rreth 40 fëmijë që vijnë në urgjencë. Po ashtu, numri i shtrimeve në spital ka qenë mbi 20, ndërsa tani nën 20,” shprehet mjeku Marku.
Pyetjes se a janë konfirmuar raste me Covid në spitalin e Lezhës, pas analizave të kryera, Marku përgjigjet se deri tani nuk është konstatuar asnjë rast i tillë.
Megjithatë, ai apelon për kujdes të shtuar gjatë sezonit turistik, duke iu shmangur grumbullimeve në plazhe e aktivitete të tjera kulturore-artistike masive.
“Mundësia për të pasur raste me Covid, veçanërisht me variantin Omicron, është më e madhe, prandaj vigjilenca është në rritje. Deri tani në Lezhë nuk kemi raste me Omicron të vërtetuara me analiza laboratorike,” deklaron Dr. Marku.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




