Viti i ri shkollor/ Presidenti Begaj uron: Ndërtoni Shqipërinë e së nesërmes

Sot (11 shtator) nxënësit nga e gjithë Shqipëria u janë drejtuar shkollave për t’u ulur në bankat që disa prej tyre i prekin për herë të parë.
Regjistrimi për vitin e ri shkollor vijoi edhe ditën e diell deri në mesnatë, megjithëse autoritetet parashikojnë që numri i nxënësve të jetë më i vogël se një vit më parë.
Ky numër mësohet se ishte një ndër shkaqet që Ministria e Arsimit u detyrua të shtyjë dy herë afatin e regjistrimeve në arsimin parauniversitar.
“Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë!
Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes,” uroi presidenti Bajram Begaj.
Vitin e kaluar, në bankat e shkollës u ulën rreth 450 mijë nxënës.
Gati 242 mijë pritet të përfitojnë këtë vit tekste falas nisur nga politikat sociale të qeverisë.
Tekstet falas kanë filluar të shpërndahen nga 1 shtatori për të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të, por edhe 16 kategori në nevojë në arsimin e mesëm, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian etj.
Risi këtë vit akademik është edhe “paketa e sigurisë”, me të cilën autoritetet policore dhe bashkiake parashikojnë të rritin sigurinë e nxënësve jo vetëm në shkolla, por edhe në ambientet rreth saj dhe në akset rrugore që të çojnë në shkollë.
Nis pa probleme dita e parë e shkollës në Tiranë

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjithë masat për të rritur sigurinë e nxënësve.
Punonjës të Policisë Bashkiake janë sot përpara çdo shkolle, në të gjitha njësitë administrative për të ndihmuar të vegjlit dhe qytetarët që të kalojnë të sigurtë në vijat e bardha në rrugë dhe pranë kryqëzimeve.
Ndërkaq, trafiku në Tiranë është paraqitur normal, ndërsa shumë qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të lëvizur me biçiklete ose në këmbë. e që transportojnë mallra gjatë orarit të ndaluar.
Policia Bashkiake ka marrë masa në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit, për të ndaluar, apo ndëshkuar me masa administrative, automjetet që shkelin urdhrin e entit pronar të rrugës (Bashkia Tiranë), për kufizimet e lëvizjes së automjeteve në oraret e ndaluara, që janë 07:00-09:00 për automjetet për transport të përzier (mallrash), si dhe atyre mbi 3.5 ton që ndalohet të hyjnë nga ora 07:00-20:00, në brendësi të unazës së mesme e të vogël të qytetit.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




