Vlora nderon artistët/ Dredha :Ta promovojmë këtë art që është bërë me një sforco të jashtëzakonshme por ka lënë gjurmë të thella

Në kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në skenën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, u nderuan emra të njohur të kinematografisë shqiptare.
Regjisori ,mjeshtri i kamerës dhe penës, Dhimitër Anagnosti ka qenë protagonisti i parë i ciklit të eventeve kulturore “Mirënjohje për artistët e kinematografisë shqiptare” organizuar në Vlorë.
Pjesëmarrës në këtë event emra të mëdhenj të filmit shqiptar,Roza Anagnosti,Timo Flloko, Rajmonda Bulku,Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami, ideator i aktivitetit.

Në skenë u ndërthurën montazhe të filmave më të njohur të mjeshtrit Anagnosti, interpretime skenike të aktorëve dhe ekzekutimi i kolonave muzikore të filmave nga orkestra e drejtuar nga dirigjenti Oleg Arapi.
Kryebashkiaku Dredha vlerëson eventin dhe konfirmon vijimësinë aktiviteteve të tilla kulturore në Vlorë.
“Ne duhet të kemi në vëmendjen dhe ta promovojmë këtë art që është bërë me një sforco të jashtëzakonshme për kohen por ka lënë gjurmë të thella në gjithë artin e bukur shqiptar.
Meqë na pëlqen rëndom fjala ‘integrim’, me filmat e Dhimitër Anagnostit, ne jo vetëm kemi kohë të ‘integruar’ në Evropë, por shkëlqejmë aty falë tij.
Nuk e di nëse ka të dytë, p.sh., si ‘Përrallë nga e kaluara’ për të shënjuar shpirtin e jetën e një populli, në kinemanë evropiane e botërore. Po le të kujtojmë edhe regjinë për filmat ‘Toka jonë’, ‘ Duel i heshtur’, ‘Komisari i dritës’ me të madhin Viktor Gjika, ‘Gjoleka, djali i Abazit’ e të tjera vepra me vlerë”, shprehet Dredha.
Gjithashtu, Dredha theksoi se vlerësim i veçantë i takon Z. Idrizi për iniciativën fisnike, Z. Oleg Arapi, Regjisorin Z. Kristaq Skrami, si gjithmonë të mrekullueshëm, e kujtdo që punoi për ta kryer këtë shërbim për qytetin.

“Mirënjohje Yjeve të kinemasë shqiptare, Roza Anagnosti, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa, Timo Flloko, Kristaq Skrami, që i bënë nder Vlorës, në shoqërinë e Regjisorit të Madh! Faleminderit, Mjeshtër”, theksoi Dredha.
Pritet që ky cikël nderimi të vijojë edhe me të tjera figura të shquara të kinematografisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



