Vonesa në vaksinimin e fëmijëve, mjekët pediatër ju rekomandojnë prindërve konsultime paraprake

Sociale | 8 muaj më parë

Në Sarandë, gjithnjë e më shumë prindër po shfaqin skepticizëm ndaj vaksinimit të fëmijëve. Kjo ka sjellë vonesa në ndjekjen e kalendarit të vaksinave, i cili parashikon kryerjen e tyre në periudha të caktuara për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Mjekja pediatre Nilsa Shahini shprehet se hezitimi i prindërve nuk duhet të ndikojë në moskryerjen e vaksinave. Ajo thekson se vaksinimi është një hap i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve te fëmijët. Për çdo paqartësi apo shqetësim, ajo rekomandon konsultim me mjekun pediatër të familjes.

“Ka shumë vonesa nga prindërit. Vaksinat që janë të njëvjeçarit prindërit i shtyjnë tre vjeç, katër vjeç. Ka shumë prindër që i vonojnë shumë dhe kalendari nuk zbatohet sipas kohës së përcaktuar. Unë rekomandoj që të vazhdojnë programin e vaksinimit dhe të konsultohen me mjekun e familjes.”

Shahini nënvizon se kryerja në kohë e vaksinave është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në komunitet. Për këtë arsye, ajo u bën thirrje prindërve të mos neglizhojnë vaksinimin.

“Akoma më e rëndësishme është komplikacionet që ne na vijnë nga këto infeksione. Ndaj është shumë e rëndësishme pjesa e vaksinimit.”

Në këtë situatë, specialistët theksojnë se informimi i saktë dhe komunikimi i vazhdueshëm mes prindërve dhe mjekëve është shumë i rëndësishëm. Vetëm përmes këshillimit me profesionistët e shëndetësisë mund të merren vendime të sigurta që garantojnë mirëqenien dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme