Votimi në zonat e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, nxit tensionet me Perëndimin

Referendumet e orkestruara nga Kremlini, pritet të shërbejnë si pretekst për Moskën për të aneksuar rajonet e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia. Referendumet përfunduan sot. Rezultati i paracaktuar i votave rriti tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit.
Zyrtarët e mbështetur nga Moska në katër rajonet e pushtuara në Ukrainën jugore dhe lindore, thanë se qendrat e votimit u mbyllën të martën pasdite pas pesë ditësh votimi. Ndërkohë ka filluar edhe numërimi i votave.
Aneksimi i rajoneve, krijon terrenin për një fazë të re të rrezikshme në luftën shtatëmujore në Ukrainë. Rusia paralajmëroi se mund të përdorë vendosjen e armëve bërthamore për të mbrojtur territorin e saj, duke përfshirë tokat e fituara rishtazi.
Pas pesë ditësh votimit, “situata do të ndryshojë rrënjësisht nga pikëpamja juridike, e së drejtës ndërkombëtare, me të gjitha pasojat përkatëse për mbrojtjen e atyre zonave dhe garantimin e sigurisë së tyre”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për opsionin bërthamor nga ana e Moskës që javën e kaluar, pas një kundërofensivës së suksesshme ukrainase. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



