Vuçiç njofton zgjedhjet e parakohshme, protestat masive çojnë Serbinë drejt votimeve parlamentare
Serbia po shkon zyrtarisht drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen në tetor ose në fillim të nëntorit.
Lajmin e dha vetë presidenti Aleksandar Vuçiç gjatë një konference për shtyp me kryeministrin çek, Andrej Babiš.
Vuçiç u shpreh se po mban fjalën e dhënë ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre të lirë.
Ai sqaroi se votimet për parlamentin do të zhvillohen para fundit të vitit, ndërsa garat për presidencën do të jenë më vete pak më vonë.
Në fund të qershorit, presidenti serb kishte deklaruar se planifikonte të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet parlamentare. Synimi i tij është të sigurojë një mandat të ri qeverisës për Partinë Progresive Serbe.
Njoftimi vjen në një kohë kur Serbia vijon të përballet me protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. Demonstratat nisën pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Tragjedia shkaktoi reagime të forta dhe akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të institucioneve.
Prej më shumë se një viti, studentë, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile kërkojnë përgjegjësi politike, reforma dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




