Xhamia e Gjin Aleksit në Delvinë/ Atraksion turistik me dëshmi, simbole dhe bashkëjetesë fetare

Kulturë | 3 vite më parë

Xhamia e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës është një nga monumentet arkitekturore më interesante ,jo vetëm për pamjen e saj madhështore ,por edhe për dëshmitë, simbolet dhe mesazhet e bashkëjetesës historike ndër fetare në Shqipëri.

Ky monument i kultit islam, ndërtuar në fillim të shek. XVI mbi rrënojat e një manastiri të hershëm kristian  ndoshta të periudhës Bizantine ka të ndërthurur në territorin e ngushtë të oborrit të tij, xhaminë, kishën, Teqenë Bektashiane dhe një burim të vlerësuar si “të shenjtë” që mban emrin Burim i Gjin Aleksit.

”Nga pikëpamja historike dokumentare pak të dhëna ka vetëm një përmendje që i bën Evlad Celabiu në shek. XVII kurse duke u nisur nga elementet e arkitekturës së saj mendojmë të ketë prejardhje nga fundi i shekullit XV fillim i shekullit XVI” thotë arkitekti.

Pas rikthimit në vitin 1990-të të institucioneve dhe besimeve fetare të nxjerra jashtë ligjit nga regjimi komunist që prej vitit 1967 dhe pas një rikonstruksioni të plotë të kryer nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve , ky vend i shenjtë i tri besimeve fetare dhe Burimi i Gjin Aleksit pranë monumentit , janë kthyer në një pelegrinazh dhe një atraksion i preferuar për turistët vendas e të huaj.

”Nisur nga emri Gjin Aleksi duke qenë se emri është i një feje të krishtere, thuhet se ka qenë dikur një kishë dhe më pas është ngritur xhamia” thotë Reshat Gega.

Ky objekt arkitekturor ,simbolik për bashkëjetesën ndër fetare, është shpallur “monument kulturor” i kategorisë së parë i llojit “arkitekturë” që në vitin 1963 dhe ndoshta ky status kulturor ka qenë arsyeja kryesore që Xhamia e Gjin Aleksit nuk ka pësuar fatin e shumë objekteve të tjera të kultit që u shkatërruan dhe rrënuan plotësisht gjatë fushatës komuniste anti fe.

“Është ndoshta xhamia e dytë në vend që ka një trajtim të tamburit, të pjesës së sipërme të saj, ndryshe nga të tjerët e ka me një element i cili evokon hershmërinë në kohë” thotë arkitekt Reshat Gega.

Turistët dhe besimtarët që vinë për ta vizituar këtë xhami, përveç pamjes fantastike ,e vlerësojnë atë edhe për faktin se çfarë e bën të veçantë: arkitektura e rrallë islame, emri katolik Gjin Aleksi dhe Burimi i shenjtëruar, prania dhe ndërthurja simbolike në të njëjtin vend të shenjtë të tri besimeve dhe shumë kulturave.

“Është atraksion, i cili është ruajtur për fat të mirë nuk ka pasur dëmtime apo humbje të mëdha e cila nga pikëpamja historike dhe kulturore përbën një vlerë të madhe jo vetëm për Delvinën por për të gjithë vendin” thotë Reshat Gega

Xhamia e Rusanit me simbolikën e veçantë të saj ,u dëshmon besimtarëve dhe turistëve jo vetëm se Zoti është një dhe vetëm një ,por edhe për bashkëjetesën e rrallë nder fetare të shqiptarëve.

Gazetar E. Fili

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme