Xherrard, hija e Jurgen Klopit tek Liverpuli

Angli | 6 vite më parë

Liverpuli po monitoron situatën e Stiven Xherrardit, si kandidaturë për të zëvendësuar Jurgen Klopin, nëse Federata Gjermane e Futbollit (DFB), e thërret këtë të fundit për ta drejtuar ekipin përfaqësues. Është e përditshmja britanike, “Mirror”  shkruan se DFB-ja po planifikon largimin e Joakim Lëvin dhe zëvendësimin e tij me Klopin, ofertë kjo që për ish-trajnerin e Dortmund do të ishte e parefuzueshme.

Xherrardi po kalon një periudhë të shkëlqyer si trajner me ekipin e tij Gllasgou Rejnxhërs, që po mbizotëron në kampionatin skocez, ndërsa ka arritur edhe në turin e 16-shes së Ligës së Evropës. Kjo ecuri u ka bërë përshtypje edhe pronarëve të Liverpulit, të cilët po e ndjekin nga afër punën e ish-futbollistit të njohur anglez.

Ndonëse Federata Gjermane e ka rikonfirmuar Lëvin në krye të stolit të përfaqësueses, pikëpyetje të shumta mbeten, sidomos pas asaj humbjeje 0-6 të pësuar në Ligën e Kombeve të Evropës përballë Spanjës. Ndërkaq, në një zhvillim tjetër, Xherdan Shaqiri, ka vendosur të largohet nga Liverpuli këtë verë.

Futbollisti nga Zhegra e Kosovës ka edhe dy vjet në kontratën e tij aktuale, por është zhgënjyer për mungesën e minutave te Liverpuli. Për këtë arsye, sipas asaj që raportojnë mediat angleze, Shaqiri dëshiron të largohet në fund të sezonit, me Liverpulin që do të ishte i lumtur nëse do ta shiste për 25 milionë euro.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme