Zelenski mbërrin në Zvicër për Forumin Ekonomik Botëror, takon liderët vendas

Botë | 3 vite më parë

Presidenti Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) mbërriti të hënën në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Vizita e Zelenskit vjen një ditë pasi këshilltarët e sigurisë kombëtare nga 80 vende u mblodhën në Davos për herë të katërt për të gjetur formulën e paqes për Ukrainën në kuadër të Samitit Global të Paqes.

Presidenti ukrainas do të takojë homologen e tij zviceran, Viola Amherd, kryetarët e të dy dhomave të parlamentit zviceran dhe krerët e partive dhe fraksioneve në Bernë.

Sipas Zelenskit, bisedimet me znj. Amherd do të përqendrohen në kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, sanksionet kundër Rusisë dhe kërkimin e mënyrave për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, bashkëpunimin për çminimin humanitar, mbështetjen financiare dhe rindërtimin e Ukrainës.

“Do t’i falënderoj për mbështetjen parimore të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Unë besoj se pjesëmarrja e Zvicrës në Formulën e Paqes dhe përvoja e saj e rëndësishme do të ndihmojnë në krijimin e një paqeje të drejtë bazuar në vizionin tonë,” tha Zelenski në rrjetin X.

Ndërsa i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë dhe ka siguruar ndihmë humanitare për Ukrainën, Zvicra nuk ka pranuar të dërgojë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake në Kiev, duke përmendur politikën e neutralitetit.

Në Davos, Zelenski do të zhvillojë takime bilaterale me zyrtarë të BE dhe NATO “për të mbështetur dinamikën” e integrimit euro-atlantik të Ukrainës. 

Këtë vit, Forumi Ekonomik Botëror do të mblidhet më 15–19 janar.

Mediet zvicerane raportojnë se Zelenski planifikon të qëndrojë në Zvicër për të paktën dy ditë. /KI

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme