Zgjedhjet e 14 Majit/ Mbyllet votimi, pjesëmarrja 37.79 %. Celibashi: Problemet me identifikimin elektronik, njohim përgjegjësinë

Qytetarët e thanë fjalën e tyre dhe vendosën për kryetarët e 61 bashkive në vend dhe këshillave bashkiakë. Ora 19:00 shënoi dhe mbylljen zyrtarisht të votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 37.79 %.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:0, ku mbi 3.6 milionë qytetarë ishin thirrur për të votuar në këto zgjedhje në 5213 qendra votimit në të gjithë vendin.
Procesi i votimit në 77% e QV nisi në orën 07:00 ndërsa në 11 % të qendrave të votimit ku nuk funksionoi pajisja e identifikimit elektronik votimi nisi pas orës 08:00. Procesi në këto 532 QV nisi pas urdhrit të KQZ që identifikimi i votuesve vijoi me listën e zgjedhësve të printuar.
Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik. Votimi u vëzhgua nga afër nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë, OSBE/ODIHR e ambasadorë të akredituar në Tiranë.
Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi gjatë ditës u bëri thirrje partive politike por dhe policisë të largojnë personat e paautorizuar nga qendrat e votimit, pas raportimeve të disa rasteve.
Kryekomisioneri tha se votimi ka qenë i qetë në përgjithësi, përtej incidenteve sporadike dhe problematikave që ka pasur për funksionimin e identifikimit elektronik, ku shtoi se KQZ njeh përgjegjësinë dhe kërkoi falje.
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, drejtuesit e opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta, Enkelejd Alibeaj dhe kandidatët për kryetarë bashkie votuan në qendrat e tyre përkatëse duke përcjellë mesazhin drejtuar qytetarëve për të dalë në votime masive.
Prej orës 07:00 RTSH 24 ka nisur një transmetim maratonë me raportime të drejtpërdrejta nga e gjithë Shqipëria. Maratona e zgjedhjeve u transmetua live edhe në Youtube në kanalin e rtsh.
Zhvillimet minutë pas minute
Ora 20:09 Mbyllen të gjitha QV, nis dorëzimi I materialeve
Në një dalje për median në orën 20:10 kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se deri në orën 20:00 ishin mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe se komisionerët po protokollonin procesin. Celibashi tha se rezultati I këtyre zgjedhjeve pritej të dilte në fund të ditës së nesërme, pra 15 maj 2023.
Disa shifra që u raportuan nga KQZ
70% e KQV kanë pasur anëtarësin e plotë prej 7 anëtarësh
14% e KQV kanë qenë me 6 anëtarë
10 % e KQV kanë qenë me 5 anëtarë
4 % e KQV kanë qenë me me 4 anëtarë
Vetëm në 11 % të QV janë hasur vështirësi në lidhje me aksesin e QV
Vetëm në 62 QV janë konstatuar shkelje sa i takon vendosjes së materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore
Në 40 QV ka pasur pezullim të votimit.
Për 30 QV është raportuar votim në grup apo familjar.
Në 4 raste kemi marrë raportim për votim jashtë dhomës së fshehtësisë
Në 10% të QV është përdorur lista e zgjedhësve në mënyrë manual.
Ora 19.00 Mbyllen zyrtarisht qendrat e votimit
Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht votimi për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sipas ligjit, votimi do të vijojë vetëm në ato qendra votimi ku ka prezencë të votuesve.
Qendra e votimit qëndron e hapur deri kur të mbarojë edhe zgjedhësi I fundit që është në rradhë. Ndërsa në qendrat e tjera ku nuk ka votues, votimi konsiderohet zyrtarisht I mbyllur.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Mbi 3.6 milionë qytetarë ishin thirrur për të votuar në këto zgjedhje. Për të zgjedhur në krye të 61 bashkive në garë ishin 144 kandidatë.
Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik. Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.
Në shkollën “Ali Myftiu” në Elbasan është pezulluar procesi i votimit. Sipas gazetarit të RTSH, Omer Saraçi raporton se është pezulluar votimi në QV me nr. 2361 pas një konflikti mes kryetares së komisionit dhe sekretares që i përkasin partive politike të PS dhe “Bashkë Fitojmë”.
Lidhur me bashkitë e tjera, në Belsh dhe Cërrik votimi vijon i qetë.
Në Elbasan gjithashtu ka pasur disa incidente lidhur me praninë e përfaqësuesve të partive politike në qendrat e votimit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, nga Elbasani, u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë. Sipas saj, kjo ka qenë një fushatë model, por edhe një proces votimi model.
“Ndaj edhe për orën në vijim, do të bëja thirrje që të gjithë të kontribuojmë që të vazhdojë të jetë i tillë. Do t’ju lutesha të gjithë atyre që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre qytetare, sepse vota e secilit prej jush ka fuqinë të vendosë për zhvillimin e Elbasanit dhe përmirësimin e jetëve tona.”- tha Kushi.
Ajo ka apeluar edhe për të gjithë ata qytetarë që nuk votuan dot gjatë orëve të para të mëngjesit, për shkak të problemeve teknike, që të paraqiten edhe një herë drejt qendrave të votimit, pasi, sipas saj, “vota juaj vlen jo vetëm për ju, por dhe për familjet tuaja dhe të gjithë qytetin”.
Ora 18.52 Flamur Noka denoncohet se krijoi tensione në dy qendra votimi në Elbasan, policia nis hetimet
Drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, deputeti Flamur Noka është denoncuar në polici se ka shkaktuar incidente në dy qendra votimi. Rastet janë raportuar rreth orës 17:00.
Policia njofton se “ deputeti Noka ishte futur në QV-në e fshatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar”.
Sipas policisë nga ana e komisionerëve nuk është kërkuar ndërhyrja e efektivëve, ndërsa rastet janë raportuar në prokurori ku dhe vijojnë hetimet për verifikimin e rasteve.
Ora 18:42 KQZ: Deri në orën 18:00 kanë marrë pjesë në votime 36.39 % e zgjedhësve
Ndërsa pritej të rritej numri i pjesëmarrësve në votimet e së dielës, shifrat e ofruara nga KQZ në faqen e tij në internet janë të ulëta.
Sipas tyre deri në orën 18.00 kanë marrë pjesë në votime 36.39 % e zgjedhësve. Ndërsa ora 19:00 e mbylljes së kutive të votimit po afrohet, eksponentë të ndryshëm nga maxhoranca dhe opozita po u bëjnë thirrje zgjedhësve të marrin pjesë në votim.
Sipas ligjit shqiptar nëse para qendrave të votimit do të ketë zgjedhës që nuk kanë votuar deri në orën 19:00, votimet do të duhet të vazhdojnë derisa të votojë zgjedhësi i fundit.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për kryebashkiak në Shkodër, u ka kërkuar zgjedhësve shkodranë që të vërshojnë drejt qendrave të votimit, pasi, sipas tij, “me votën e tyre do rrisin Shkodrën për katër vitet ardhshme, Shkodrën e kulturës”.
“Kemi pasur njoftimi dhe sinjalizime për problematika, kryesisht në hapje të procesit zgjedhor në orët e para të mëngjesit. U kam bërë thirrje organeve ligj- zbatuese, që të ushtrojnë funksionin e tyre dhe t’u garantojnë qytetarëve votim të lirë dhe të qetë”- theksoi Spahia.
Sipas tij, ka një rritje të ndërgjegjes qytetare, pasi nuk ka gjë më të rëndësishme sesa pjesëmarrja në votime dhe shprehjen e vullnetit të plotë përmes votës.
“Koalicioni ynë po zbaton rregullat dhe është detyrë e strukturave të rendit për të garantuar lirinë dhe qetësinë. Pres një rezultat me një diferencë më të madhe se zgjedhjet e mëparshme”, u shpreh Spahia.
Ora 18.10 Vlorë, kandidati i “BF”, Sharra: Vlonjatët të dalin masivisht dhe të votojnë, ndryshimi po vjen
Kandidati për bashkinë e Vlorës, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharra, pasi ka falenderuar çdo qytetarë të Vlorës që ka marrë pjesë në votime, ftoi ata qytetarë që ende nuk kanë votuar që të dalin masivisht dhe të votojnë.
“Vlora dhe vlonjatët nuk intimidohen nga kërcënimet, presionet dhe asnjë tentativë tjetër që përdor regjimi, që të ndal ndryshimin e madh që po vjen. Deri në mbylljen e kutive të votimit ju ftoj të dilni masivisht të votoni, pasi edhe admninistrata e braktisi Edi Ramën”- deklaroi Sharra.
Ora 18.03 Bejko thirrje votuesve në Tiranë: Mos prisni që politika e vjetër të dorëzohet, por dilni e votoni
Afro një orë e gjysëm para mbylljes së kutive të votimit, kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko u ka bërë thirrje votuesve në kryeqytet, të dalin masivish në këto orë të mbetura e të votojnë për Partinë Demokratike.
Duke e konsideruar 14 majin si dita më e rëndësishme për të ardhmen e vendit, zoti Bejko në deklaratë të tij shprehet se” “
Partia Demokratike, si e vetmja forcë e djathtë properendimore, ju fton sot ta jepni kontributin tuaj dhe ky kontribut shprehet përmes votës tuaj”.
“Sot nuk është koha për të bërë sehir dorëzuar përballë të keqes që ka mbjellë politika e vjetër, por të ushtroni demokracinë që iu jep e drejta e votës. Ndaj në emër të PD, në emër të të të ardhmes tonë, ju bëj apel ju të dashur bashkëqytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë:
Mos prisni që politika e vjetër të dorëzohet, por dilni e votoni” përfundon thirrjen e tij kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko.
Ora 17.56 PS, Muzhaqi: Në këto minuta të mbetura shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar
Kur kanë mbetur edhe pak minuta për tu mbyllur procesi i votimit, PS, nëpërmjet zëdhënëses së PS, Bora Muzhaqi, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, në mbarë vendin, që të votojnë, të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Janë edhe 90 minuta për gjyshërit e gjyshet që nuk votuan dot sot herët në mëngjes, po edhe për gjithë ata të moshuar, të reja e të rinj, nëna e baballarë, që ende nuk kanë dalë të votojnë! Apeli i Partisë Socialiste është mos i lini këto 90 minuta të ikin pa votuar! Duam që ta dëgjojnë të gjithë se kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë. Vota vlen shumë! Vota vendos shumë! Vota përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë të përbashkët! Prandaj në këto 90 minuta të mbetura dilni dhe votoni!”- deklaroi Muzhaqi.
Ora 17.47 KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në orën 17.00 është 34.54 %
Pjesëmarrja në votimet për zgjedhjet lokale të 14 majit, po rriten ngadalë. KQZ njoftoi në faqen e tij në internet se pjesëmarrja në votime deri në orën 17.00 ka arritur në 34.54 %.
Sipas njoftimit kanë votuar 661257 zgjedhës nga 1914576 zgjedhës në listën e Qendrave të Votimit të raportuara.
Ora 17.40 Celibashi: Kemi 927 raste për tentativë për votim të dyfishtë! 29 denoncime në KQZ
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se deri më tani janë 927 raste ku është tentuar të ketë një votim të dyfishtë. Sa i përket konstatimeve për votim të dyfishtë, Celibashi tha se në fund të procesit do shohin nëse ka raste që duhen ndjekur penalisht.
Lidhur me denoncimet në KQZ janë 29, ku Celibashi tha se 4 vijnë nga PS dhe koalicioni ‘Bashkë Fitojmë” dhe shumë denoncime të tjera nga qytetarët. Denoncimet kryesisht janë bërë në bashkitë Tiranë, Elbasan, Dropull, Kamëz, Konispol, Lezhe, Peshkopi dhe Tropojë, ku kryesisht sipas Celibashit lidhen me prishjen e pajisjeve PEI, intimidimi i votuesve dhe parregullsitë lidhur me komisionerët në qendrat e votimit apo votimin familjar në disa bashki.
Kryekomisioneri tha se votimi ka qenë i qetë në përgjithësi, përtej incidenteve sporadike dhe problematikave që ka pasur për funksionimin e identifikimit elektronik, ku shtoi se KQZ njeh përgjegjësinë dhe kërkoi falje.
Ora 16.55 3 incidente në Elbasan, zëvendësime dhe debate mes vëzhguesve të disa qendrave votimi
Në qarkun e Elbasanit janë shënuar 3 incidente të vogla, ku është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë.
Konkretisht në qendrën e votimit nr. 2422/1, në Mengel të Elbasan disa vëzhgues ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi. Pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.
Në qendrën e votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre. Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit.
Në qendrën e votimit nr. 2930/01, në Bradashesh është raportuar se shtetasi E. Ll., dyshohej se po ndikonte tek votuesit. Pasi policia ka bërë verifikimet ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.
Ora 16.40 KQZ: Deri në orën 16.00 kanë votuar 32.19 % e zgjedhësve
KQZ njoftoi në faqen e tij në internet se pjesëmarrja në votime deri në orën 16.00 ka qenë 32.19 për qind.
Sipas njoftimit kanë votuar 619193 nga 1923650 zgjedhës në listën e Qendrave të Votimit të raportuara.
Ora 16:32 Mori dy fleta votimi dhe u largua nga qendra e votimit, arrestohet 44-vjeçari në Krujë
Një incident është raportuar në një qendër votimi në Krujë, ku një 44-vjeçar ka përfunduar në pranga. Sipas policisë “44-vjeçari ka marrë me vete 2 fletët e votimit (të veten dhe të nënës), ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50, në qendrën e votimit 1285/2, KZAZ Nr. 20, Krujë.
Në pranga ka rënë 44-vjeçari B. T., banues në Tapizë, i cili do të përballet me veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit.
Ora 16:20 PS kërkesë KQZ: Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi thyen heshtjen zgjedhore, të merren masat
Partia Socialiste i ka dërguar dy shkresa KQZ për marrjen e masave ndaj dy kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, një për kandidatin e Bashkisë Elbasan, Luçiano Boçi dhe një për kandidatin e bashkisë Tiranë Belind Këlliçi, të cilët kanë thyer heshtjen zgjedhore.
PS thekson se Belind Këlliçi me një deklaratë më 14 maj rreth orës 15.30 theu heshtjen zgjedhore duke përsëritur premtimet elektorale.
Në kërkesën e PS edhe kandidati Luçiano Boçi më 14 maj rreth orës 16.00 ka thyer heshtjen zgjedhore duke përsëritur premtimet e fushatës në kundërshtim me ligjin.
Për këto dy raste PS kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga KQZ për shkeljen e Kodit Zgjedhor.
Ora 16:15 Sarandë, fotografuan votën arrestohet një person, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij
Policia e Sarandës bëri të ditur se ka arrestuar një person, i cili është konstatuar se ka fotografuar fletët e votimit, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.
Ora 15:35 / Apeli i Yuri Kim nga Vlora: Mos ushtroni trysni mbi votuesit. Autoritetet të zbatojnë ligjin për shitblerjen e votës
Nga Vlora ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkoi që të mos ushtrohet asnjë trysni mbi asnjë votues. Gjithashtu asnjë votues nuk duhet të blejë apo të shesë votën dhe u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë.
”Kemi parë të gjitha situatat. Nuk duhet të ushtrohet asnjë trysni mbi asnjë votues. Është shumë e rëndësishme që çdo votues të ushtrojë të drejtën e tij sepse kjo është e drejtë themelore. Dhe askush nuk duhet të shesë dhe as të blejë votën. Është përgjegjësi e autoriteteve të zbatojë ligjet në mënyrë të barabartë e të njëtrajtshme në çdo situatë” tha Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim shkoi pasdite në Vlorë për të monituar procesin e votimit atje.
“Si ndër vëzhguesit ndërkombëtarë të shumtë që po lëvizim në Shqipëri ambasadorja renditi dhe qytetet ku kishte shkuar për të parë nga afër procesin.
Po udhëtojmë në të gjithë vendin. Isha në Nivicë, Selenicë, Vlorë dhe do të shkoj në disa vende të tjera. Situata po shkon mirë. Por unë jam vetëm një person por ndërkohë duhet të presim të dëgjojmë të gjithë vëzhgimet që kanë bërë vëzhguesit e tjerë. Më e rëndësishme është të dëgjojmë raportimet që do të vijnë nga ODIHR.”
Ora 15:00/ Spaho përplaset me qytetarin në Korçë, policia e merr në pyetje: S’na njoftuan për incidentin
Policia ka shoqëruar deputetin e Partisë Demokratike, Edmond Spaho pasi u përplas fizikisht me një qytetar në një prej qendrave të votimit në Korçë.
Në njoftimin e saj për mediat policia e Korçës, sqaron incidentin e ndodhur në lagjen nr. 17 duke theksuar se ka marrë në pyetje deputetin Spaho dhe kandidaten e Partisë Demokratike në Korçë, Ledina Alolli.
“Në të dy rastet është komunikuar me kandidaten L. A. dhe deputetin E. S., ku u është kërkuar që të paraqiten në Komisariatet e Policisë, për t’u pyetur dhe intervistuar në lidhje me sa pretendojnë.
Në lidhje me pretendimet e tyre, në të dy rastet u është marrë deklarim nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, ku në bashkëpunim me KZAZ Korçë dhe Maliq, po kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e policies.
Policia thekson se “në asnjë prej rasteve të mësipërme, nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë në qendrat e votimit apo në ambientet përreth qendrave të votimit”
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Ora 14:00/ Identifikimi elektronik, Celibashi: Nuk dështoi. Tenderi i hapur. S’kam frikë, as syri s’ma bën tërr
Në 11% të 5223 qendrave të votimit në mbarë vendin nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik.
Por a mund të thuhet se ky proces ka dështuar?
“Në mënyrë kategorike procesi i identifikimit elektronik nuk ka dështuar” tha kreu i KQZ-së në një konferencë për median mesditën e sotme.
“Në një vlerësim të raportit të qendrave të votimit ku kemi pasur probleme të identifikimit elektronik me numrin total të qendrave të votimit rezulton se është më pak se 10 për qind, qendra votimi të cilat votuesit nuk identifikohen përmes pajisjes elektronike të identifikimit.
Ka një të pavërtetë të madhe në çfarë thuhet, që ndoshta si rrallëherë më parë proceset tenderuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë bërë të hapura. Nëse dikush kërkon të spekulojë është i lirë ta bëjë si të dojë. Unë jo vetëm nuk kam frikë por as droje dhe nuk ma bën syri tërr” tha Celibashi.
-Nga raportet në 77% e QV e kanë nisur procesin e votimit në 07:00
– Në 13 % e kanë nisur votimin në 7:30.
– 11% e kanë nisur votimin pas orës 08:00. Kjo është përqindja e atyre QV që kanë pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik.
“Ngelet për tu verifikuar pse në 532 QV e patëm këtë situatë dhe jemi duke e punuar për këtë, ndërkohë që në të gjitha QV e tjera procesi po shkon shumë mirë” tha Celibashi mesditën e sotme në një konferencë për median.
Ora 14:00/ Tiranë e Durrës/ Në 7 qendra votimi ka prani të personave të paautorizuar, Celibashi: Të largohen menjëherë
Kryetari i KQZ –së shprehu shqetësimin për praninë e personave të paaturizuar në qendrat e votimit kryesisht në Tiranë e Durrës.
“Ky është intimidim dhe presion ndaj votuesve” tha Celibashi duke i kërkuar policisë së shtetit, Komisioni Zonal Zgjedhor dhe QV të adresojnë shqetësimin.
“Është e papranueshme që qytetarë që nuk kanë lidhje, të vijojnë të qëndrojnë në ambientet e brendshme ku votohet. Do të duhet të boshatisen menjëherë. Çdo kush që refuzon ti përgjigjet urdhrit të mbajë përgjegjësi. Kush ka votuar të largohet” tha Celibashi.
Deri tani flitet për 7 qendra votimi në Tiranë e Durrës ku ka prezencë të militantëve.
“Denoncimet më të mëdha kanë ardhur në Durrës dhe Tiranë. Denoncimet kanë ardhur nga “Bashkë Fitojmë” por dhe vëzhguesit e tyre. Kryesisht në 7 QV Tiranë e Durrës. Nuk kemi asnjë mundësi të dijmë se cilën parti përfaqësojnë. Por ata që nuk kanë punë në ambientet e qendrave të votimit apo ku janë vendosur qendrat e votimit duhet të largohen menjëherë dhe kush ka përdetyrë ta bëjë duhet ta bëjë menjëherë,” tha Celibashi në një dalje për medien në orën 13:00.
Adresimi publik i Celibashit ishte për partitë politike dhe mbështetësit e saj.
Ora 13:29/ Bashkia e Durrësit, voton Igli Cara: Qytetarët të mos stepen, të votojnë. Nuk na ndalin presionet
Kandidati i koalicioni “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, Igli Cara ka votuar në qendrën e votimit të këtij qyteti.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Cara foli për mediat duke theksuar se pavarësisht problematikave të vërejtura dhe presioneve nga funksionarët e shtetit, në Durrës, nga nesër nis ndryshimi i këtij qyteti.
Ora 13:00/ Roskovec/ Kandidatët për kryetar bashkie, bashkë në kafe, presin rezultatin e votimit
Procesi i votimit në vend po vijon pa probleme, ndërsa në Roskovec kandidatët për kryebashkiakë jo vetëm që nuk kanë hedhur akuza në drejtim të njëri-tjetrit, por përkundrazi procesin duket se po e ndjekin sëbashku.
Majlinda Bufi nga Partia Socialiste dhe Erdit Hazizaj i “Bashkë Fitojmë” janë shfaqur sëbashku duke konsumuar një kafe, në pritje të përfundimit të votimit, që më pas do të përcaktojë se kush prej tyre do të drejtojë bashkinë për 4 vitet e ardhshme.
Ora 12:55/ Goditën me grushte komisionerin e PD-së në Durrës, policia: Po punojmë për kapjen e 3 personave
Një incident ka ndodhur paraditen e sotme gjatë procesit të votimit në qytetin e Durrësit ku një person është goditur me grushte.
Personi i goditur është komisioner i Partisë Demokratike. Ai është qëlluar nga tre persona të jashtëm që nuk janë pjesë e Qendrës së Votimit dhe as komisioner apo përfaqësues politik. Ndërkaq, policia ka mbërritur për të marrë dëshminë e komisionierit të dhunuar dhe po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur shtetasi H. M., i cili ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë në korridorin e Qendrës së Votimit 1430-2, Durrës, e kanë goditur me grushte shtetasit D. B., P. P. dhe N. P.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm, për këtë rast.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen dhe shoqërimin e këtyre 3 shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ora 12:35/ 18.94% pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),18.94% qytetarë kanë hedhur votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, deri në orën 12:00.
Të dhënat janë marrë nga raportimi në 2678 Qendra Votimi, nga 5213 në total.
Ora 12:00/ Voton Nikolla: Një ditë kur politikanët heshtin dhe flet populli
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka votuar në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, në Tiranë.
Pas procesit të votimit, për gazetarët, Nikolla tha sot është një ditë kur politikanët heshtin dhe flet populli, ndërsa bëri thirrje qytetarëve ta ushtrojnë këtë të drejtë për të zgjedhur kryetarët dhe përfaqësuesit bashkiak.
“Sot është një ditë kur politikanët heshtin dhe flet populli për të ushtruar të drejtën e tij kushtetuese për të zgjedhur. Uroj që masivisht qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë për të zgjedhur kryetarët dhe përfaqësuesit bashkiak“, tha Nikolla.
Ajo i dha mesash politikanëve, “për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës të qytetarëve, dhe të kthejnë këtë ditë në feste demokracie”.
Ora 11:50 Zgjedhjet/ Himara dyndet nga votuesit, qytetarët presin në radhë: S’kemi pasur probleme
Nga vëzhgimi në terren i gazetares së RTSH-së, Denada Shkodrani konstatohet një numër i lartë i votuesve që presin në radhë, kryesisht të moshuar.
Ndërkaq, komisionerët e qendrës së votimit nuk tregohen të gatshëm për të dhënë detaje mbi numrin e pjesëmarrësve teksa pyeten nga gazetarja Shkodrani, por mjaftohen vetëm duke theksuar se “nuk ka pasur asnjë problem dhe nuk është dashur ndërhyrja e policisë. Ka një numër shumë të madh. Procesi vijon rregullisht”
Nga ana e tyre, qytetarët teksa presin në radhë shprehen gjithashtu se nuk kanë pasur probleme me procesin e votimit.
Ndërkaq, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka deklaruar se kandidati i majtë Jorgo Goro po u ushtron presion qytetarëve duke u dhënë para në këmbim të votës.
“Nga vizitat personale në disa qendra votimi në distancë siç e parashikon ligji dhe nga informacionet që kemi nga përfaqësuesit e koalicionit bashkë fitojmë, dua të denoncoj aktivizimin e të afërmve të kandidatit të PS duke ushtruar presion, duke ofruar para në këmbim të marrjes së kartave të identitetit dhe duke ushtruar presion mbi zgjedhësit para qendrave të votimit. Tentojmë të komunikojmë me policinë pa sukses. Në shumicën e qendrave që kam vizituar nuk ka prani policore, është detyrim ligjor të jenë. Është detyrë e policisë të respektojë ligjin”, tha Dule.
Nga Parku Olimpik, ku hodhi votën e tij për zgjedhjen e kryebashkiakut të ardhshëm të Tiranës dhe anëtarët e këshillit bashkiak, kandidati socialist, njëherazi edhe kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, i bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Thirrja e Veliajt i adresohej më së shumti qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të votojnë në mëngjes për shkak të problematikave me pajisjet e identifikimit elektronik, duke i kërkuar atyre që të rikthehen për të shprehur vullnetin e tyre me votë.
Edhe kandidatët për kryetarë bashkie i bënë thirrje qytetarëve të dalin në votime.
Ora 11:40/ Yuri Kim: Të zbatohet ligji, të ndalohet shitblerja e votës
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim ka bërë thirrje që të zbatohet ligji dhe Kodi Zgjedhor për të ndaluar shitblerjen e votës.
Përmes një postimi në rrjetin social në Instagram, ambasadorja Kim shkruan se “është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave”, duke e shoqëruar postimin me kartën e saj si vëzhguese.
“Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, ambasadorja Yuri Kim.
Ora 11:29/ Roland Bejko: Sot qytetarët duhet të çlirojnë Tiranën nga krimi, politika dhe oligarkia financiare
Kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko i cili kandidon për kreun e bashkisë së Tiranës kërkoi që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të çliruar sipas tij, kryeqytetin nga krimi, politika dhe oligarkia financiare.
“Sot është një ditë kur qytetarët duhet të shprehen për Tiranën dhe për ekipin që do të drejtojë bashkinë e Tiranës.
Është një ditë e madhe për demokracinë vendore dhe një vend ka aq demokraci sa ka demokraci vendore. Prandaj të drejtën e votës qytetarët duhet ta ushtrojnë sot masivisht’ tha ai.
Ambasadorja Audry Glover ishte sot në një qendër votimi në Tiranë për të vëzhguar nga afër procesin e votimit, për të cilën do të prezantojë nesër dhe një raport.
“Do të vëzhgojmë të gjithë procesin deri në fund të tij dhe më pas do të bëjmë vlerësimin përkatës. Situata duket e qetë ndoshta për shkak të motit” deklaroi shefja e misionit të OSBE/ODIHR në një prononcim për median pasi doli nga një qendër votimi” tha Glover.
Procesi i mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik do të jetë nën vëzhgimin e tyre.
“Po e shohim dhe pas vëzhgimit këtu do të shkojmë të shikojmë dhe votimin e lektronik për të krijuar një ide më të qartë se çfarë ndodh në terren.”
Ora 11: 17/ Ambasadorja e BE: Procesi pa probleme, qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike
Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, në një komunikim për mediat nga Elbasani, u shpreh deri më tani procesi i votimin në vend po ecën i qetë, duke uruar që të vijojë në këtë mënyrë.
Hohmann i bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë, për të zgjedhur për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive që do t’i përfaqësojnë ata në 4 vitet e ardhshme.
“Gjërat deri më tani kanë ecur pa probleme dhe duket se qytetarët po ushtrojnë të drejtën që ata gëzojnë. Urimi për ditën e sotme është që sa më shumë qytetarë që kanë të drejtën për të votuar të shkojnë për të hedhur votën e tyre dhe që dita të vazhdojë kështu pa probleme, në mënyrë të paqshme. Ajo që qytetarët do të zgjedhin sot është se kush do jenë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive, ata që do ju përfaqësojnë ju 4 vitet e ardhshme, ndaj do thosha shfrytëzojeni të drejtën demokratike për të zgjedhur. Objektivi duhet të jetë të zgjidhet politika më e mirë që ju mendoni”, tha ambasadorja.
Ora 11:20/ Incident në Shkollën “Neim Babameto” në Durrës, sekretari ikën nga QV me vulë me vete
Incident në qendrën e votimit në Shkollën “Neim Babameto”. Gazetarja e RTSH-së Albana Agolli informon se sekretari i QV është larguar së bashku me vulën duke ndërprerë procesin e votimit.
Ora 11: 15/ Gara për Shkodrën, voton Benet Beci: Sot, koha që të flasin qytetarët
Kandidati i Partisë Socialiste për Shkodrën Benet Beci, i cili garon përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka deklaruar se sot është dita për të folur qytetarët.
Duke folur për mediat pas votimit, Beci tha se qytetarët duhet të shkojnë të votojnë për të ushtruar të drejtën e votimit.
“Kemi folur shumë në fushatë, sot flasin qytetarët. Sa më shumë të shkojnë në kutitë e votimit. Është një ditë e bukur për Shkodrës” u shpreh Benet Beci.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur votën e tij për të zgjedhur kryebashkiakun e Tiranës e po ashtu edhe anëtarët e këshillit bashkiak.
“Tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar ët votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar, të rikthehen në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë”, tha Rama.
Ora 10: 55/ Voton Ilir Meta: Dilni dhe votoni ndryshe s’keni të drejtë të ankoheni dhe të kërkoni llogari
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe fëmijët kanë votuar në kopshtin numër 31 në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-bllokut.
Duke folur për mediat, Meta ka theksuar se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën e votës pasi nëse nuk votojnë s’kanë të drejtë të kërkojnë llogari ndaj të zgjedhurve të tyre. Ai e cilësoi ditën e sotme si koha kur merr fund monizmi absolut siç e cilësoi ai qeverisjen e kryeministrit Rama.
“Votuam si familje e kompletuar sepse për herë të parë votoi edhe Era. Ishte një kënaqësi që edhe ajo ta kishte këtë mundësi.
Me këtë rast, unë kam vetëm një lutje për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë; pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe përsëri pjesëmarrje sepse vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Njëkohësisht dhe e drejta që ka një qytetar në demokraci është vota.
Ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit dhe i fuqisë së tij. Qytetari që nuk e ushtron këtë të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari.
Prandaj ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm pjesëmarrjes dhe përmes kësaj mundësie që ua mundëson Kushtetuta e Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve. Ditë e madhe për Shqipërinë, merr fund monizmi absolut, dhe rivendoset transparenca absolute”, u shpreh Meta.
/rtsh.al/
Ora 10: 50/ Zgjedhjet vendore/ Deri në orën 10:00, pjesëmarrja e votuesve 8.08%
Deri në orën 10:00, 8.08% e votuesve kanë hedhur votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të dhënat janë marrë nga raportimi në 2740 Qendra Votimi, nga 5213 në total.

Ora 10: 47/ Luçiano Boçi: PS presion administratës për t’iu marrë votën, ndryshe do i heqin nga puna
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka deklaruar se Partia Socialiste po ushtron presion ndaj qytetarëve për t’iu marrë votën.
Duke folur për mediat pasi votoi, Boçi u shpreh se Partia Socialiste u ka dërguar sot në mëngjes një urdhër të atillë se nëse s’do u japin votën do i heqin nga puna.
Ora 10:45/ Zgjedhjet/ Voton kandidati i PS për Kryetar Bashkie në Vlorë, Ermal Dredha
Kandidati i PS për Kryetar Bashkie në Vlorë, Ermal Dredha votoi pranë qendrës së votimit në Universitetin “Ismail Qemali”, ku në fjalën e tij theksoi rëndësinë e votimit si një ushtrim i të drejtës në demokraci.
Ora 10:39/ Erion Isai: Më goditi anëtari i KZAZ i koalicionit “Bashkë Fitojmë”! Nervozizmi tregon panik
Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, njëherazi edhe kandidati socialist, Erion Isai, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar mesnatën e së shtunës, ku ai është dhunuar nga një person. Në një komunikim për mediat, Isai tha se personi që e ka dhunuar ishte anëtar i KZAZ për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, ndërsa ngjarjen e konsideroi të turpshme.
Ora 10:25 Gara për Tiranën/ Voton Sali Berisha: Ushtroni të drejtën e votës, mos dëgjoni Ramën
Kreu i grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova”, në kryeqytet për garën që zhvillohet mes Belind Këlliçit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kreut aktual Erion Veliaj.
Pasi ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha të ndjekur nga Argita, Shkëlzeni , Armina Mevlani dhe Jamarbër Malltezi, ish-kryeministri ka folur për mediat duke kërkuar që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë; të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore.
Të gjithë ata që u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve që të rrinë në shtëpi të mos harrojnë se kjo është një nxitje dhe një apel i madh që ata të marrin sot pjesë në votim.
Ai që ka frikë votën ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj. Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh, ndaj le t’u prijë mençuria e tyre në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre dhe vendit të tyre.
Padyshim kjo është pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon monizmin e shëmtuar në Shqipëri dhe kjo është një ditë fitoreje për shqiptarët”, është shprehur Berisha
I pyetur nëse ka rezerva për procesin, pasi as vetë Berisha nuk arriti të identifikohet nga pajisja, ish-kryeministri theksoi se “ka disa problematika që duhen të shqyrtohen. Pajisjet kanë pasur në një përqindje jo të vogël për mosfunksionim. Do të dëgjoni në darkë që do të thonë se na ndërhynë hakerat iranianë, por në fakt janë hakerat qeveritarë që ndërhyjnë. Ka disa qendra dhe rrethe, si për shembull në Durrës. Peshkaqeni famoz, Roni Shqopa, dhe disa drejtorë dhe përgjegjës të njësisë administrative kanë dashur të bëjnë xhambazin në qendrën e votimit por janë përzënë ashtu siç e meritojnë. E reja tjetër është se nëse i bini numrit të policisë ai nuk përgjigjet më. Ka marrë pushim sot policia”
Ora 10:20/ Celibashi raporton: Problematika në 532 QV me pajisjet e identifikimit elektronik
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi pranon se ka pasur problematika relativisht të shumta të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve. Në një deklaratë për median në orën 10:00, Celibashi tha se janë 532 QV ku identifikimi nuk po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit.
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka hedhur votën e tij në këto zgjedhje lokale, ndërsa pati edhe një mesazh për qytetarët. Nga shkolla Ekonomike, ku ai votoi, Alibeaj i kërkoi qytetarëve që të dalin masivisht në votime për të bërë “ndarjen e madhe”, siç e cilësoi ai, nga e shkuara.
“Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, demokratët që sot duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës në mënyrë të qetë dhe të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën. Sot është dita që shqiptarët të vijën dhe të votojnë sepse sot është dita për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën dhe kjo është në dorë të shqiptarëve. Kjo bëhet vetëm me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve. Ftoj këdo, jo vetëm mbështetësit e PD, çdo shqiptar të ndershëm që sot të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës siç zemra dhe interesi jua do”, tha Alibeaj.
Ora 09:50 Problemet në identifikimin elektronik/ KQZ nxjerr vendimin: Nëse nuk funksionon pajisja, përdorni letrën
Pasi kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi hasi probleme me identifikimin elektronik, ky institucion ka nxjerrë vendimin sipas të cilit, se nëse nuk funksion pajisja PEI, procesi të vijojë sipas formatit të printuar.
“Në të gjitha qendrat e votimit, nëse nuk funksionon pajisja elektronike e identifikimit (PEI) të zgjedhësve, KQV-të të fillojnë procesin e identifikimit të votuesve me listën e zgjedhësve të printuar të dërguar nga KZAZ-ja”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Ndërkaq, më herët, Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka hasur probleme me aparaturën e identifikimit elektronik teksa ka shkuar në orën 7:00 të mëngjesit të sotëm për të votuar për zgjedhjet vendore.
Celibashi është paraqitur në qendrën e votimit në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” për të ushtruar të drejtën e votimit, por ka hasur probleme me aparaturën e identifikimit elektronik që më pas mundëson edhe procesin e votimit.
“Jemi duke sjellë një pajisje tjetër, duket se ka ndodhur një problem gjatë transportit pasi pajisja që ishte në qendër konfirmohet se nuk funksionon”, është shprehur Celibashi.
Celibashi ka vënë në dukje gjithashtu se pajisja do të ndërrohet edhe pse as vetë ai nuk e ka konstatuar problemin real që ka pasur vetë aparatura e identifikimit elektronik.
“Pajisjen për fat të keq duhet ta ndërrojmë nuk e di me saktësi problemin por ndoshta gjatë transporti janë bashkuar në mënyrë mekanike USB është problem i brendshëm i pajisjes dhe operatori nuk mund ta zgjidhë vetë jemi duke sjellë një pajisje tjetër se operatori nuk e zgjidh dot këtë problematikë”, ka theksuar për mediat Celibashi.
Vendim_220_230514_KSHZ by Rtsh Faqe on Scribd
Ora 09:50 KQZ nxjerr të dhënat e para: Deri në orën 9 kanë votuar 3.75% e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë të dhënat e procesit të votimit për zgjedhjet vendore të ditës së sotme në 61 bashki të vendit.
Sipas të dhënave nga KQZ, deri në orën 9:00, 2 orë nga nisja e procesit të votimit, kanë votuar 3.75 për qind e qytetarëve.
Ora 09:40 Oerd Bylykbashi: Pranë qendrave të votimit, persona të paautorizuar. Do mbajnë përgjegjësi ligjore
Grupi politik i ‘Rithemelimit’ të Sali Berishës në Partinë Demokratike ka denoncuar një rast që sipas tyre persona të paautorizuar janë instaluar pranë qendrave të votimit dhe po tentojnë të intimidojnë votuesit.
09:20/Mallakastër, procedohet 54-vjeçari. Kanosi kryetarin e njësisë administrative Fratar
Policia ka proceduar penalisht një 54-vjeçar pasi ka kanosur me fjalë kryetarin e njësisë administrative të Fratarit në Mallakastër.
Sipas policisë, është proceduar në gjendje të lirë “shtetasi Sh. K., 54 vjeç, pasi dyshohet se për qëllime elektorale, në favor të një kandidati për kryetar bashkie, ka kanosur me fjalë, shtetasin Sh. K., 56 vjeç, kryetar i njësisë administrative Fratar.”
Ora 09:25/ Problematika me identifikimin elektronik, në disa QV mungojnë komisionerët e PD
Procesi i votimit në të gjithë vendin duket se po ecën me hapa të ngadaltë, teksa problematika kryesore e hasur është mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit elektronik.
Në nja raportim nga KQZ, gazetarja e RTSH, Megi Mëhilli bëri me dije se ka një afat ligjor prej 3 orësh për të kryer zëvendësimin e pajisjeve që kryejnë identifikimin elektronik në qendrat e votimit ku nuk punojnë dhe nëse kjo nuk kryhet, do jetë KQZ që do të vendosë për vijimin manualisht të procesit.
09:19/ Pjesëmarrje e ulët në Vorës
Në Vorë procesi i votimit ka nisur në orën 7:00 dhe deri tani pjesëmarrja ka qenë e vakët. Në këtë Bashki, procesi i identifikimit, votimit dhe numërimit kryhen elektronikisht, për të dytën herë, pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit të vitit 2022.
Ora 09:18/ Celibashi shkon të votojë, por has probleme me identifikimin elektronik: Do të ndërrojmë pajisjen
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi është paraqitur në qendrën e votimit në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” për të ushtruar të drejtën e votimit, por ka hasur probleme me aparaturën e identifikimit elektronik që më pas mundëson edhe procesin e votimit.
Ora 09:12/ Votimi në Fier nis pa probleme
Ka nisur procesi i votimit në 224 Qendra Votimi të Bashkisë Fier. Sipas komisionerëve të majtë dhe të djathtë, procesi ka filluar normalisht dhe nuk janë vërejtur problematika.
Ora 09:07 Denoncon PD: Në Dimal, kryetarja e bashkisë urdhëron qytetarët të votojnë familjarisht
Partia Demokratike ka denoncuar një rast në Bashkinë e Dimalit ku sipas saj administratorët e njësive vendore, me urdhër të kryetares së bashkisë që kandidon në zgjedhje, po firmosin vërtetime për shumë qytetarë për të lejuar votimin familjar në kundërshtim me kodin zgjedhor.
Presidenti i vendit, Bajram Begaj ushtroi të drejtën e tij për të votuar. Presidenti dhe bashkëshortja e tij votuan në qendrën e votimit në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” në kryeqytet.
Ora 09:00/ KQZ, pjesëmarrja deri në orën 08:00: Kanë votuar 1.29 për qind e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë të dhënat e para të procesit të votimit për zgjedhjet vendore të ditës së sotme në 61 bashki të vendit.
Ora 08:59/ Dhunimi i kandidatit socialist për Kolonjën, Erion Isai, arrestohet 33-vjeçari
Esmerald Kacolli, 33-vjeçarari i akuzuar se ka goditur me grusht kryebashkiakun e Kolonjës, njëherazi edhe kandidati socialist, Erion Isai, është vënë në prangat e Policisë.
Ora 08:40/ Belind Këlliçi: Dilni votoni, as unë dhe as Veliaj nuk ua kontrollon dot votën
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës që të dalin të votojnë për të bërë ndryshimin që meriton kryeqyteti sipas tij.
Duke folur pasi votoi në shkollën “Dora D’Istria” në Tiranë, Këlliçi theksoi se sot është dita që kanë pritur aq shumë qytetarët përgjatë 8 viteve të fundit.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë të votojnë për të kryer detyrën e tyre si qytetar. Ftoj të gjithë të rinjtë dhe ata mijëra qytetarë që në këto 5 muaj që i kam takuar dhe u kam shtrënguar duart dhe duke i parë në sy e duke folur për ndryshimin.
Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë që të gjithë. Është dita ku keni në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimet i keni vetë në duar”, ka theksuar Këlliçi për mediat.
Këlliçi iu bëri apel të rinjve që të mos marrin kamionin për t’u larguar nga Tirana dhe nga vendi por të shkojnë të votojnë në qendrat e tyre të votimit, pasi sipas tij, as ai dhe as Veliaj nuk ua kontroll dot votën.
“Ndaj kam një apel për rininë, për të gjithë vajzat dhe djemtë e të rinjtë që e mendojnë se kanë më të lehtë që të marrin kamionin për të ikur nga Tirana apo për të marrë gomone për t’u larguar.
U them jo, ju them hajdeni votoni, të votojmë për të ndryshuar të ardhmen e qytetit tonë, për të gjitha ato punë të pabëra, për të gjitha ato abuzime që keni parë në këto 8 vite, për të gjitha shpresa që janë shuar në këto 8 vite. Dilni dhe votoni, askush nuk iu kontrollon dot votën as Erion Veliaj”, theksoi Këlliçi.
Ora 8:30/ Policia e Shtetit: Asnjë problematikë e regjistruar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore

Procesi i votimit në vend ka nisur qe prej orës 7:00, ndërsa Policia e Shtetit bën me dije se deri më tani nuk ka asnjë problematikë të regjistruar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisonerët e Qendrave të Votimit.
Në një njoftim për mediat, Policia njofton se në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023, dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.
Punonjësit e Policisë që kanë dorëzuar qendrat e votimit janë përqendruar në stacionet e përkohshme policore, të miratuara nga KQZ-ja, siç e përcakton ligji.
08:20/ Nis procesi në bashkinë e Kamzës, qytetarët hasin probleme me votimin elektronik
Bashkia e Kamzës renditet e 8 për nga madhësia në rang republike. Për zgjedhjet lokale të këtij viti garojnë për të marrë votëbesimin e qytetarëve të Kamzës janë tre kandidatë, Rakip Suli nga Partia Socialiste, Arjan Hoxha nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Bilbil Bajraktari nga Partia Demokratike.
Rakip Suli kërkon një mandat të dytë në postin e kryetarit të Bashkisë Kamëz, pasi mori bashkinë në vitin 2019 në zgjedhje ku ishte i vetëm dhe për herë të parë Partia Socialiste mori pushtetin e një bashkie tradicionalisht opozitare.
Gazetarja e RTSH-së, Amela Kaçorri raporton se votimi ka nisur në qendrat e votimit në zonat e Kamzës dhe Paskuqanit. Ka pasur vetëm disa problematika që kanë qenë thjesht teknike sa i përket pajisjeve të votimit pasi është hera e parë në Kamëz votohet në mënyrë elektronike.
Numri i mandateve në Këshillin Bashkiak për Kamzën është 41. Popullsia votuese në Kamës është shtuar nga 81 mijë në vitin 2011, në rreth 109 mijë në vitin 2023. Pjesëmarrja në votime ishte 52% në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar kur PD dhe LSI fituan 53% të votave, ndërsa Partia Socialiste fitoi vetëm 40% të votave.
Bashkia e Kamzës ka një sipërfaqe prej 37 kilometrash katrore, një nga bashkitë më të vogla në vend sa i përket territorit. Ajo është edhe bashkia me densitetin më të lartë të popullsisë në vend. Ndërtimi, tregtia dhe punishte të ndryshme përbëjnë bazën ekonomike të bashkisë së re, e cila ka nominalisht 14 fshatra ,por që pothuajse të gjitha janë aktualisht zona sub-urbane me pak aktivitet bujqësor.
Ora 8: 15/ Zgjedhjet lokale, procesi vijon pa problematika në Berat
Ora 7:00 e mëngjesit ka hapur procesin e votimit në qarkun e Beratit, ndërsa gazetari i RTSH, Norel Zaimi bën me dije se procesi vijon i qetë në 254 qendrat e votimit.
Në qarkun e Beratit kandidojnë 15 kandidatë, ku në Bashkinë e Beratit kandidojnë 2 kandidatë, Ervin Demo nga Partia Socialiste dhe Zija Ismaili nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Në Bashkinë Skrapar janë në garë Adriatik Meta nga PS dhe Euglen Mustafallari nga koalicioni “bashkë Fitojmë”, në Poliçan garojnë Adriatik Zotkaj nga PS, Behar Xhaferaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Florian Qamo nga PD.
Në Dimal garojnë Juliana Mema nga Partia Sociliste, Gentian Meçi nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Dritan Sula nga Partia Demokratike, ndërsa në Bashkinë Kuçovë janë në garë Kreshnik Hajdari nga Partia Socialiste, Lefter Maliqi nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Ilirjan Koxhaj nga Partia Demokratike.
Ora 8: 30. Reshjet vështirësojnë procesin e votimit në zonat e thella në qarkun e Kukësit
Procesi i votimit në qarkun Kukës ka nisur normalisht, në 139 qendrat e votimit, 73 në bashkinë Kukës, 28 në Has, dhe 38 në bashkinë Tropojë. Mirëpo reshjet e shiut kanë vështirësuar disi situatën në zonat e thella në Tropojë dhe në Has.
Në orët e para, numri i votuesve është i pakët, pasi pritet të shtohet në orët në vijim.
Në qarkun i Kukësit qytetarët votojnë për Safet Gjici dhe Admir Sinamati, Tropojë për Rexh Byberi dhe Besnik Dushaj dhe në Has për Halit Mulaj dhe Miftar Dauti.
Gazetarja Besjana Gërmizi raporton nga Kukësi se problematikë ifrastrukturore dhe të internetit priten nga zonat e thella në rrethit, megjithëse janë marrë të gjitha masa që gjithçka të shkojë mirë.
Ora 08:00 / Nis votimi në Sarandë, tre kandidatë “luftojnë” për kreun e bashkisë, midis tyre edhe një i pavarur
Mbi 3.6 milionë shqiptarë janë thirrur të votojnë
Në këto zgjedhje vendore janë 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në garë për këto vota janë formalisht 145 kandidatë për kryetarë dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë.
Për herë të parë, në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë do të zbatohet projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik.
Për t’i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të votojnë është vendosur edhe shtyrja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të votuesve deri në datën 31 Maj 2023.
Për këtë proces zgjedhor janë trajnuar: Trajnerë afatgjatë dhe afatshkurtër të KZAZ/KQV/GNV si dhe komisionerë, sekretarë dhe operatorë të KZAZ-vë. Janë trajnuar operatorët e pajisjeve elektronike të identifikimit, por edhe të votimit elektronik; monitorues të fushatës zgjedhore; financierë të partive politike; kandidatë për kryetar/këshill bashkiak dhe përfaqësues të tyre.
Nga data 4-6 Maj përfundoi faza e parë e dorëzimit të materialeve si dhomat e fshehta, kamerat që instalohen/ vendosen në qendrat e votimit;
Që në 7 Maj janë administruar në magazinat e KQZ-së fletët e votimit. Materialet zgjedhore kanë nisur të shpërndahen që më 9 Maj fillimisht në bashkitë e qarqeve Dibër, Lezhë, Gjirokastër, Fier, e më pas në bashkitë e tjera.
- 61 QV janë me 6 anëtarë
- 57 QV janë me 5 anëtarë
- 79 QV janë me 4 anëtarë
- 17 QV me 3 anëtarë
Votimi dhe numërimi elektronik do të kryhen në 401 qendra votimi në Elbasan, Kamëz dhe Vorë.
Rreth 20 QV janë në zona të thella dhe nuk mbulohen me internet dhe sinjal të telefonisë celulare, por KQZ ka gjetur zgjidhje alternative për të patur rezultatet 30 minuta pas përfundimit të procesit të votimit.
Komisioneri Celibashi vazhdimisht ka siguruar qytetarët që pajisja elektronike e votimit është e sigurt dhe garantohet fshehtësia e votës së tyre.
Ndërkohë, një mision prej 324 vëzhguesish ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri, të cilët do të shikojnë ecurinë e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu Ambasada amerikane do të ketë 14 vëzhgues, ndërsa BE do të ketë 10 vëzhgues.
Zgjedhjet lokale vijnë pas atyre të zhvilluara në vitin 2019 të cilat u bojkotuan nga opozita e djathtë, duke i lënë fushë të lirë socialistëve, të cilët morën kontrollin e thuajse gjithë bashkive të vendit dhe këshillave bashkiakë. Opozita aktualisht përfaqësohet vetëm në Shkodër, ku kandidati demokrat fitoi në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara në mars të vitit 2022.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




