Zgjedhjet lokale, Berisha: Po vijojmë konsultimet me aleatët, do kemi koalicion të gjerë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka paralajmëruar se opozita do të shkojnë e bashkuar në një koalicion të gjerë në zgjedhjet lokale të 2023.
Jashtë Kuvendit, Berisha tha për mediat se po vijojnë konsultimet me aleatët dhe se ka mendime që të dalin në zgjedhje me kandidatë të përbashkët.
“Shënuam një hap të madh duke njohur të drejtën e simpatizantëve për të votuar për kandidatin që duan. Sjellim një risi thelbësore në interesin më të mirë të qytetarëve dhe demokracisë. Ne po vijojmë konsultimet me aleatët. Ka mendime që të dalim me kandidatë të përbashkët dhe e mbështes por duhet të gjejmë format më të përshtatshme. Aleatët janë i gjithë spektri politik i djathtë, parti parlamentare dhe jo parlamentare. Do kemi koalicion të gjerë”, tha Berisha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur i hapur për një bashkëpunim me Berishën, duke theksuar se kanë komunikim të vazhdueshëm, ndërsa i pyetur se cilët janë aleatët e tjerë që i referohet, Berisha tha se janë “i gjithë spektri politik i djathtë. Janë parti parlamentare dhe jo parlamentare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




