Zgjedhjet në Kukës, KQZ teston pajisjet PEI për identifikimin elektronik të zgjedhësve

Identifikimi i zgjedhësve në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës do të kryhet në mënyrë elektronike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën me dije se ditën e sotme (19 shtator) është bërë edhe testimi i pajisjeve, që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit.
Sipas KQZ, për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 74 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
“Në mënyrë rastësore u përzgjodhën 3% e pajisjeve për të testuar përputhshmërinë e kritereve nga KQZ në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet. Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë, apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit. Gjithashtu, edhe rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate”, thuhet në njoftimin e KQZ.
Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse është kryer në kushte manuale.
Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




