Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, mbyllet zyrtarisht procesi i votimit

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht votimi për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në nivel kombëtar, deri në orën 19:00, ka qenë 42,17%, një shifër kjo pak më e ulët se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivelin 45,41%, të rreth 3,6 milion zgjedhësve që ishin thirrur për të votuar.

Në bazë të Kodit Zgjedhor do të mbeten hapur vetëm ato qendra votimi ku vihet re se ka ende një numër zgjedhësish që janë në radhë për të votuar.

Dita e zgjedhjeve ka qenë përgjithësisht e qetë, me disa incidente sporadike në zona të veçanta. Janë ndaluar nga policia dhe janë referuar për hetime të mëtejshme në SPAK disa shtetas, si dhe figura politike me akuza për fotografim të votës, kanosje ndaj votuesve, dhunim të komisionerit në qendrat e votimit etj.

Pas mbylljes së kutive të votimit, ato mbi bazën e dokumentacionit përkatës dërgohen nëpër KZAZ ku pas marrjes në dorëzim do të fillojë edhe procesi i numërimit të votave.

Procesi i numërimit pritet të përfundojë brenda 48 orëve, fillimisht për partitë politike dhe koalicionet dhe më pas numërimi do të vijojë për kandidatët për deputetë që garuan mbi bazën e listave të hapura.

E reja në këto zgjedhje ishte dhe pjesëmarrja e diasporës në votim, proces ky që ndodh për herë të parë. Rreth 93% e zgjedhësve nga diaspora morën fletën e votimit, dhe 81% e tyre e kanë plotësuar dhe kthyer në KQZ, duke përfaqësuar 74% të të gjithë votuesve nga diaspora.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes dhe forcimit të lidhjeve me shqiptarët kudo në botë, duke garantuar që zëri i çdo qytetari shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, të dëgjohet dhe të respektohet”, komentoi Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit i monitoruan nga një numër i madh vëzhguesish, për të garantuar që çdo veprim të ishte në përputhje me standardet më të larta të demokracisë dhe transparencës: 2.412 vëzhgues vendas nga 45 organizata vendase; 925 vëzhgues të huaj nga 30 organizata dhe institucione ndërkombëtare; 2.120 vëzhgues afatgjatë dhe 1.217 vëzhgues afatshkurtër; 54 media vendase dhe të huaja, ishin në terren për të ndjekur dhe raportuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme