Zgjedhjet vendore, mblidhet kryesia e PS, Rama: Jemi duke realizuar një dialog të gjerë me shqiptarët

Zgjedhjet vendore të vitit 2023, kanë qenë sonte në mbrëmje në qendër të mbledhjes së kryesisë së PS-së. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryeministër i vendit, Edi Rama.
Sipas tij, PS është tashmë duke realizuar një dialog të gjerë me shqiptarët.
Kryeministri Rama ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pë zgjedhjet vendore të 2023. Sipas tij, koalicioni do të jetë vetëm me qytetarët dhe se PS synon të gjitha bashkitë.
Kreu i qeverisë i është rikthyer sërish temës së nxehtë të akuzave nga opozita, lidhur me projektin e Portit të Durrësit. Sipas tij, akuzat e opozitës janë nga më të shëmtuarat në historinë politike shqiptare.
“Marrja nëpër gojë e një personaliteti të ekonomisë globale, që ka seli në kullën më të lartë të Abu Dabit, një personalitet që ka ndërtuar gjysmën e Dubait dhe vjen këtu jo se nuk ka punë, por vjen si rezultat i një partneriteti me Emiratet e Bashkuara në një moment tejet të vështirë, kur unë shkova të diskutoj për familjet e goditura nga tërmeti në Durrës. Unë shpreha pakënaqësinë apo rezervat që pavarësisht gjithë miqësisë së një historie që ka nisur nga lufta në Kosovë, kur hapën pistën për të sjellë ndihmat humanitare, që solli reagimin e princit të Kurorës në atë kohë, duke nxitur këtë investitor që është krenari kombëtare, e i hyhet në hak në mënyrën më barbare, më të shëmtuar, më ordinere e skizofrene nga një “non grate”, nga një llum që çdo ditë ndot shtëpitë e shqiptarët, nuk di cfarë të them.”- tha Rama.
Sipas tij, sot është dita për t’i dhënë përgjigje pyetjes se pse paratë ruse u derdhën në Shqipëri, për një parti për të rrëzuar qeverinë?
“Për një parti të opozitës, qeveria duhet të jetë më e rëndësishme se paratë ruse. Në këtë moment askush nuk çohet dhe të thotë që “ky është një trup që ka bërë PD”, “kisha dijeni, më vjen keq që nuk e besova këtë gjë”, “kërkoj falje që kam thënë se është komplot i Sorosit dhe Ramës”. Nuk e bëri asnjë, jo se kanë marrë para, por se janë bedelë dhe kur nuk e ka kapacitetin moral për të vënë interesin e vendit të vet mbi bedelizmin, është një i pafe, një i paatdhe. Sepse për pak u deha dhe unë nga aroma e alkoolit që ata kishin pirë dhe vetëm të dehurit mund të flasin me atë gjuhë në mes të një parlamenti”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




