Zhupa: Qeveria e rimodeluar, shëmbëlltyrë e Edi Ramës. Manastirliu duhet të ishte në SPAK

“Qeveria e rimodeluar, është shëmbëlltyrë e Edi Ramës”, kështu ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit deputetja demokrate Ina Zhupa.
Sipas saj, zgjedhja e Ervin Metes në krye të Ministrisë së Ekonomisë e Financave, në një moment ku ai ishte ende në krye të AMF përbën një shkelje kushtetuese.
“Ervin Mete është në funksionin e tij antikushtetues. Presidenti me juristët e tij duhet të dije kur duhet të heshtë e kur të flasë. Ata heshtin kur ju shkelni ligjin dhe nuk heshtin kur duhet të presin që të zbatonit ligjet. Presidenca duhet të priste shkarkimin e Metes nga AMF, kreun e bordit ekzekutiv të AMF”, tha Zhupa, e cila në fjalën e saj vijoi të ndalej në ndryshimet e Kabinetit Qeveritar.
Zhupa theksoi se vendosja e Ogerta Manastirliu në krye të Ministrisë së Arsimit nuk do sjellë gjë tjetër, veçse dhënien me koncesion dhe PPP të universiteteve shqiptare. Sipas saj, Manastirliu duhet të ishte tanimë para SPAK dhe jo në pozicionin e Ministres.
“Kulmi është Ogerta Manastirliu. Si mundeni, që zonjën abuzimi sicc thonë mesazhet që më vinin dje: zonja vrastare, kështu thonë kontrollet e KLSH, sepse Manastirliu ishte kandidate e shkëlqyer për SPAK. Por ju në vend t’ia linit drejtësisë, e bëtë Ministre Arsimi që sistemi arsimor të bjerë në koma. Një ministre që nuk thotë dot një sukses në krye të MSH.
Ogerta manastirliu në krye të arsimit do sjellë dhënien me koncesion dhe PPP të universiteteve shqiptare. Aty ka eksperiencë. Do bëjë që rinia të largohet”, theksoi Zhupa.
Kjo e fundit theksoi se i vetmi ndryshim që duhej bërë ishte zëvendësimi i Frida Krifcës, pasi kjo e fundit sikurse theksoi Zhupa, zhduku fondet e BE-së.
“Frida Krifca i vetmi ndryshim që duhej bërë. Zhduku fondet e BE-së. Na futi në listën e zezë. Fermeri vuante, Frida s’ia kishte idenë. I jepte paratë për vila e resorte, e tani ua kërkojnë mbrapsh.
Qeveria e rimodeluar shëmbëlltyrë e Edi Ramës. Asnjë nga veprat penale për të cilat janë dënuar ministrat e tij, nuk mund të bëheshin pa bekimin, miratimin e tij personal. Askush nga këta s’ka të drejtë që të mbledhë qeverinë dhe të firmosë në emër të qeverisë”, tha Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




