Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 8 vatra aktive. Në terren, 120 efektivë të FA dhe dy avionë Air Tractor

33 vatra zjarri janë raportuar në vend gjatë 24 orëve të fundit, 8 prej të cilave vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me efektivë, mjete tokësore dhe kapacitete ajrore. Aktualisht, në terren operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor, ndërsa ndërhyrjet janë përqendruar në disa prej vatrave kryesore në vend.
Ministria bën me dije se në Qafë Helmës dhe Bruç, puna vijon në terren të vështirë. Zjarri në Qafë Helmës është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa një vatër mbetet aktive në drejtim të Selishtës, por fatmirësisht nuk raportohet rrezik për banesat. Sipas Ministrisë, në Malin e Dajtit, vijon puna e forcave zjarrfikëse, të ADZM-së dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore, ndërsa sqarohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situatë e ngjashme paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar dhjetëra forca bashkiake, policore, zjarrfikëse, të ADZM-së, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja mbështetet gjithashtu nga dy avionë Air Tractor.
Në Lufaj të Mirditës, forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen pas hapjes së korridoreve ndarëse, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake dhe të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk rrezikon zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po monitorohet nga afër, edhe përmes dronëve, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Njoftimi i plotë:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 5 janë në monitorim.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren operojnë 120 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
* Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna me 15 efektivë të MZSH, 10 forca të ADZM, 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.
* Gurë-Lurë, Dibër – vijon një angazhim i gjerë me 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmës dhe Bruç – puna vijon në terren të vështirë; nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm drejt Selishtës. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
* Lufaj, Mirditë – vijon puna e forcave operacionale pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetje edhe nga 1 helikopter i Forcës Ajrore.
* Fushë-Lajë, Pukë – në operacion janë 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të FA. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata monitorohet nga afër edhe me dron dhe po ashtu nuk ka rrezik për banesat.
Situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga AKMC, me angazhim të koordinuar të strukturave qendrore dhe vendore dhe me përqendrim të kapaciteteve tokësore e ajrore në vatrat që kërkojnë ndërhyrje më intensive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





