11 Maji – Rama për “Corriere della Sera”: Zgjedhje me peshë, pritshmëri të larta dhe sfida të reja

Në një intervistë për të përditshmen prestigjioze italiane Corriere della Sera, Kryeministri Edi Rama ka folur për rëndësinë historike të ndalesës së Giro d’Italia në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një simbol të miqësisë me Italinë, një provë të hapjes së vendit dhe një dritare të re për imazhin e Shqipërisë në botë.
“Dikur ishte e paimagjinueshme, sot është realitet,” tha Rama, duke shtuar se përmes kësaj ngjarjeje, miliona njerëz në botë po zbulojnë një Shqipëri që nuk identifikohet më me lajmet negative, por me natyrën, kulturën dhe mikpritjen e saj.
Në intervistë, Rama u ndal edhe te zgjedhjet që do të mbahen të dielën më 11 maj. Ai deklaroi se pas 12 vitesh qeverisje, sondazhet e nxjerrin ende forcën e tij politike si favorite, dhe se katër vitet e ardhshme do të shënojnë përmbylljen e reformave të mëdha në arsim, shëndetësi, energji të gjelbër dhe integrim europian. “Shqipëria nuk do të jetë më një vend që e sheh botën nga jashtë, por pjesë e saj me dinjitet e hijeshi,” tha ai.
Për herë të parë, votën e ushtrojnë edhe shqiptarët jashtë vendit, një hap që, sipas Ramës, përforcon lidhjen me diasporën.
Në përmbyllje, Rama tha se është optimist për rezultatin, por do të qëndrojë në selinë e Partisë Socialiste për ta ndjekur procesin me vëmendje, duke kujtuar se “një fitore nuk vjen në fund të një nate, por në fund të një udhëtimi të gjatë”.
Intervista e plotë:
Çfarë përfaqëson Giro d’Italia për Shqipërinë?
Dikur ishte e paimagjinueshme, sot është realitet. Është një ngjarje që flet vetë, për miqësinë tonë me Italinë, për hapjen e vendit, për rritjen e imazhit tonë në botë. Nga një komb që dikur askush nuk e njihte, sot jemi në ekranet e miliona njerëzve, jo me lajme të këqija, por me diellin, peizazhet dhe mikpritjen tonë. Shqipëria ecën përpara.
Pse keni dashur të jeni kaq shumë pjesë e itinerarit të Giro?
Sepse besoj se ka ardhur koha që Shqipëria të mos jetë më thjesht një vend që e shikon botën nga jashtë, por të bëhet pjesë e skenës globale me dinjitet dhe hijeshi. Giro d’Italia është një ngjarje me një traditë shekullore dhe përfshirja e saj në itinerarin e Giro d’Italia është një deklaratë e qartë: ne jemi këtu, jo për të parë, por për të qenë atje. Jemi të vegjël në përmasa, por nuk na mungon as guximi dhe as bukuria për të treguar veten për atë që jemi, një shtet europian në të gjitha aspektet.
A është Giro d’Italia një vitrinë për të treguar më mirë një Shqipëri tjetër?
Absolutisht po, Shqipëria është shumë më tepër se plazhe të bukura, është lugina, male, histori, gurë të lashtë dhe një jetë që pulson edhe larg bregut. Xhiro është një dritare përmes së cilës bota mund të shohë thellësinë e këtij vendi që shpesh është gjykuar vetëm sipërfaqësisht. Dhe unë mendoj se ata do të befasohen nga kjo.
Çfarë duhet të presin shqiptarët në katër vitet e ardhshme me ju ende në pushtet?
Një intensifikim i transformimit. Do të përfundojmë reformat e mëdha, do të rrisim investimet në arsim, shëndetësi, energji të gjelbër. Dhe mbi të gjitha do ta përgatisim Shqipërinë që të mos jetë më ai cepi i harruar i kontinentit: në TV publiku do të zbulojë një komb mikpritës dhe të gjallë që ka investuar në infrastrukturë. Po ashtu edhe në sport po punojmë me gjeneratat e reja për të arritur suksese në disiplina që dikur as nuk përmendeshin.
Pas 12 vitesh qeverisje, sondazhet ju nxjerrin favorit. A ju befason kjo gjë?
Jo. Në fund të ditës, ajo që mbetet është ajo që kemi bërë. Dhe kur njerëzit krahasojnë të tashmen me të shkuarën dhe shohin se, pavarësisht vështirësive, vendi ka ecur përpara, atëherë vendimi nuk është thjesht një votë për një parti, por për vazhdimësinë e një rruge që prodhon rezultate.
Për herë të parë do të votojnë edhe shqiptarët jashtë vendit. Çfarë kërkon diaspora?
Kërkon që Shqipëria të mos jetë vetëm atdheu që mbetet në kujtime, por një vend ku ata mund të kthehen, të investojnë, të ndërtojnë diçka. Ata janë njerëz që nuk e kanë harruar atdheun e tyre dhe kërkoj që të mos i harrojë as Shqipëria. Dhe ky votim, për herë të parë, është një hap i rëndësishëm drejt një marrëdhënieje më të drejtë dhe të ndershme me diasporën.
A ka ndonjë gjë në këtë fushatë zgjedhore që ju ka habitur?
Shpesh është më e lehtë të kritikosh sesa të ndërtosh, por një fushatë e vërtetë ka nevojë për një ide kyçe, jo vetëm zhurmë. Dhe ndoshta jam befasuar pozitivisht nga qetësia me të cilën qytetarët po i afrohen votës, duke pasur parasysh sigurinë e vendit në drejtimin e tij dhe pjekurinë e votuesve në rolin e tyre.
Do të ndjekë numërimin e votave apo do të bëjë diçka tjetër?
Kam mësuar se rezultati është kulmi i një udhëtimi të gjatë, jo një surprizë një nate. Jam shumë optimist, por loja fitohet kur të përfundojë dhe do ta ndjek si gjithmonë nga mënjanë, në selinë e Partisë Socialiste, ku kemi edhe një sallë operacioni që përpunon të dhënat nga qendrat e votimit dhe projeksionet e rezultateve në çdo qark.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





