110-vjetori i Kuvendit të Junikut, Meta në Kosovë, takim me Vjosa Osmanin: Sfidat e mëdha duhet t’i përballojmë të bashkuar

Presidenti Ilir Meta ishte sot në Kosovë, ku mori pjesë në manifestimin përkujtimor të 110-vjetorit të Kuvendit historik të Junikut.
Kreu i Shtetit ishte i pranishëm në komunën e Junikut sëbashku me homologen e tij, Vjosa Osmani, ndërsa në fjalën e tij u shpreh se ‘Kuvendi i Junikut’ është vepër e lavdishme e burrave të kombit tonë, të cilët përpara 110 viteve lëshuan kushtrimin për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane.
“Çdo shqiptar kur përmendet ‘Kuvendi i Junikut’ krenohet me veprën e madhe dhe të lavdishme të burrave të kombit tonë, të cilët përpara 110 viteve lëshuan kushtrimin këtu në Junik, për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane, si dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqare. Para 110 viteve Juniku u bë logu i Kuvendit për 250 burra trima të pendës dhe pushkës me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin si dhe shumë e patriotë të tjerë, ku për katër ditë dhe net u diskutua dhe u debatua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritjeje të përbashkët në Kosovë dhe mbarë Veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e trojeve kombëtare. Në atë Kuvend, në një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare u lidh besa për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha 500-vjeçare osmane. Kuvendi i Junikut paraqiti platformën e pastër politike dhe ushtarake kombëtare për çlirim”, tha Meta.
Presidenti dha edhe mesazhe bashkimi, ku tha se sfidat e mëdha mund dhe duhet t’i përballojmë vetëm të bashkuar në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona.
“Ne sot i gëzohemi Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, që pret të hedhë një hap më tej drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por ne i gëzohemi më së shumti dhe të sakrifikuarës së madhe, 110 vjet më parë Kosovës, e cila është sot një shtet i lirë dhe i pavarur. Një vend model për sa i takon demokracisë, zgjedhjeve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të pakicave jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë kontinentin, dhe që ecën dhe ajo e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. Ne ndodhemi sot para sfidave të mëdha, dhe ato sfida mund t’i përballojmë dhe duhet t’i përballojmë vetëm të bashkuar, dhe në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona, dhe me krenarin e të qenit shqiptarë kudo ku jemi”, u shpreh kreu i shtetit.
Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik, me nismën e Hasan Prishtinës. Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për t’u bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



