14 maj/ Alibeajt i ikën edhe kandidati i Krujës, Sabah Sheta: S’dua të jem pjesë e farsës dhe përçarjes së demokratëve

Politikë | 4 vite më parë

Përçarja e demokratëve në zgjedhjet e 14 majit 2023 ka bërë që shumë kandidatë për kryetar bashkie të propozuar nga Enkelejd Alibeaj të tërhiqen nga gara, me argumentin se “kjo përçarje do i jap sërish fitoren Edi Ramës”.

I fundit i tërhequr nga gara është kandidati për kryetar në Bashkinë Krujë, Sabah Sheta, i cili thotë se nuk kërkon të bëhet pjesë e farsës dhe përçarjes së demokratëve.

“Këto ditë kam marrë me qindra mesazhe mbështetje nga demokratë dhe qytetarë, që duan një drejtim të ri për Krujën. Nga njëra anë, jam ndier i nderuar për besimin e tyre, por nuk mund të lë pa përmendur pjesën e dytë të mesazheve nga qytetarët. Ata shprehin keqardhje që opozita është e përçarë, duke i dhënë sërish shans Edi Ramës në Krujë.

Kam reflektuar këto ditë dhe kam vendosur të mos bëhem pjesë e asnjë farse politike, të mos i shërbej përçarjes demokrateve dhe qytetareve te mi, atyre qe na respektuan ne si force politike dhe na votuan masivisht ne 25 prill 2021.

Kjo është arsyeja madhore pse kam vendosur të tërhiqem nga kandidimi për Bashkinë e Krujës në emër të PD. Por kjo nuk do të thotë se do të largohem nga fusha e betejës!”, shkruan Sheta.

Megjithatë përtej tërheqjes nga gara, Seha kërkon që demokratët të votojnë këshilltarët bashkiakë me  logon e Partisë Demokratike, dhe jo të zgjedhurit e Sali Berishës që sipas tij “vendosi përçarjen e demokratëve me qëllim bashkëpunimin me Ilir Metën”.

Seha thotë se “demokratët dhe qytetarët meritojnë të përfaqësohen nga një parti që nuk është në listën e zezë të SHBA”.

“Do të kërkoj çdo votë për logon e Partisë Demokratike, sepse demokratët dhe qytetarët meritojnë të përfaqësohen sa më shumë dhe sa më mirë nga një parti e pakapur nga oligarkët, që nuk është në listën e zezë të SHBA. Jam i bindur se beteja jonë për 14 majin nuk duhet dhe, të paktën, në Krujë; nuk do të jetë një betejë mes vetes, por vetëm me qeverinë!

Në Krujë, të gjithë e njohin përpjekjen time personale përpara Primareve, por edhe pas tyre, që të kishim një proces të përbashkët dhe gjithëpërfshirës. Kërkova të bashkohemi, por planet e zotit Berisha ishin të ndryshme. Para bashkimit të demokratëve kundër Edi Ramës, Sali Berisha vendosi përçarjen tonë me qëllim bashkëpunimin me Ilir Metën.

Me tërheqjen time nga gara për kryetar bashkie dua të përcjell një mesazh për qytetarët e Krujës, Fushe Krujes, Nikles, Thumanes, Bubqit dhe Malesise në 14 Maj, votoni listën e këshilltarëve me logon e Partisë Demokratike. Ka mbaruar koha kur ne falim pushtet, qoftë Edi Ramës, qoftë Ilir Metës. Është koha për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të siguruar të ardhmen e saj”, shkruan Sheta.

Më herët janë tërhequr nga gara edhe kandidatët Gjergji Gjata për Bashkinë e Korçës dhe Sandër Marku për Bashkinë Lezhë, të propozuar nga Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë që koalicioni “Bashkë Fitojmë” garon me kandidatin Ndriçim Babasi, të dalë nga primaret. 

Për rastin e tërheqjes së kandidatëve të Alibeaj, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi së nëse tërheqja e tyre nga gara ndodh në këtë fazë, emrat e tyre nuk do të figurojnë në listën e votimit.

“Nëse tërhiqen nuk do të jenë pjesëmarrës në garë. Do të jetë dikush tjetër. Nuk do të jetë në fletën e votimit. Nëse tërhiqen nuk do jene pjese ne gare në këto moment nuk do jenë në fletën e votimit”, tha Celibashi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme