14 maj/ Sefa: Mjaft me lojëra politike, KQZ të marrë vendimin tani për regjistrimin e PD, s’kemi dokumente për të shtuar

Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën i cilëson si lojëra dhe argumente politike, kërkesat e komisionerit shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për plotësimin e dokumentacionit që të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa ka kërkuar nga KQZ që të marrë vendim tani dhe të mos pres aftin deri në mesnatë, pasi nuk ka asnjë dokument për të shtuar.
“Komisioneri të marrë vendim sa më shpejt, PD e ka bërë të qartë se nuk depoziton asnjë akt shtesë. Dokumentacioni i plotë dhe i ligjshëm. Të marrë vendim sa më shpejt dhe pa humbur. Lojërat politike dhe argumentet e ngritura nga ai nuk mund të ngrihen në këtë godinë.
Kush ka qëllim të bëjë politikë në këtë godinë nuk e ka vendin këtu. Komisioneri të mos presë orën 12 të natës por të japë vendimin tani, ne do presim këtu”, tha Sefa.
Lidhur me deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor që Celibashi kërkon të firmoset nga kryetari i Partisë ku zotohet për mos kryerjen e krimeve zgjedhore, juristi Sefa tha se është një deklaratë formale pa përgjegjësi penale.
Për këtë Sefa argumenton se nëse do të kishte fuqi ligjore, atëherë kryetarët e partive të PS apo LSI( sot PL) do kishin mbajtur përgjegjësi penale pasi shumë kandidatë për deputetët në listat e tyre janë dënuar për shitblerje votash.
“Deklarata firmoset në cilësinë e kryetarit, jo cilësi individuale. Kjo është e përcaktuar dhe në komisionin rregullator dhe aktet procedurale të KQZ. Nuk mundet si individ të marrë përgjegjësi lidhur me këtë deklaratë se në rastin konkret siç kemi dënuar për shitblerje votash nga PS apo LSI do përfundonte të kishte përgjegjësi penale kryetari i partisë. Ajo është një deklaratë formale që lidhet si detyrë e funksionit të kryetari të partisë dhe si e tillë mund të transferohet përmes një autorizimi”, tha Sefa.
I pyetur nëse KQZ nuk regjistron partinë, Sefa tha se “do ndjekin rrugët ligjore për çdo veprim”.
Në mbledhjen e 9 marsit të KQZ për regjistrimin e partive politike si subjekt zgjedhor, Celibashi, pasi njohu sipas ligjit Lulzim Bashën si kryetar i PD, tha se partia duhet të plotësojë dokumentacionin dhe se për këtë ka 48 orë afat.
Sipas tij, kryetari i parisë duhet të firmosë deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




