14 maji, apeli i Presidentit Begaj: Flisni me votë, që të dëgjoheni nesër dhe në ditët në vijim

Politikë | 3 vite më parë

Në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nëpërmjet një video- mesazhi, i’u ka bërë apel zgjedhësve që të marrin pjesë në votime, duke e nënvizuar se ky moment shërben si një përpjekje që ata të sigurohen që zëri i votuesve të dëgjohet nesër dhe në ditët në vijim.

Tashmë, sipas tij, është mbyllur sipari i propozimeve që zgjedhësit kanë dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale. 

“Të nderuar votues!  Është mbyllur tashmë sipari i propozimeve që ju keni dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale. Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur,  kur kanë dashur dhe me intensitetin e  paevitueshëm të propozimeve partiake. Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj! Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.   Pikërisht përfaqësuesit që do të zgjidhni nesër, do të jenë përgjegjës për cilësinë e saj.  Ata do kenë detyrimin e mirëmenaxhimit të burimeve vendore dhe për të krijuar nëpërmjet tyre mundësi të reja zhvillimi për projektet e së ardhmes për qeverisjen vendore.  Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona. Votoni e sigurohuni që do të dëgjoheni nesër e në ditët në vijim”– thekson Begaj në mesazhin e tij.  

Me këtë rast, ai u ka rikujtuar të gjithë drejtuesve të ngarkuar nga ligji për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, se këto votime janë vendimtare në mbrojtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë.

“Me këtë rast dua t’u rikujtoj të gjithë drejtuesve të institucioneve të ngarkuara nga ligji për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përgjegjësinë e tyre të madhe të të qenit vendimtarë në mbrojtjen e votës dhe në konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë.  Ju kërkoj të jeni në lartësinë e kësaj sfide, të cilën ia kemi detyrim të gjithë qytetarëve shqiptarë e veçanërisht brezit të ri. Ia kemi detyrim shpresës së diasporës shqiptare që i mban sytë dhe zemrën nga atdheu dhe të gjithë punës së madhe që është bërë pa dallim krahu politik, për të siguruar pluralizmin dhe demokracinë në  Shqipëri. Të  nderuar votues, ju lutem flisni me votë! Duke ju uruar mbarësi në familje, komunitet dhe në kauzat tuaja, ju ftoj të ushtrojmë të gjithë të drejtën tonë për të zgjedhur alternativën që gjithsecili mendon se përmbush pritshmëritë personale. ”– përfundon mesazhi i Presidentit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme