14 maji/ “Bashkë Fitojmë” ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Kamzë dhe Krujë

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka ankimuar në Komisionin për Ankimimin dhe Sanksionet (KAS) rezultatin e zgjedhjeve vendore në 3 bashki, përkatësisht në Rrogozhine, Kamzë dhe Krujë. Në ankimimin e dorëzuar nga “Bashkë Fitojmë” pretendohet për një sërë parregullsish në këto bashki, si gjatë votimit ashtu edhe gjatë numërimit të votave, ndërsa kërkohet pavlefshmëria e rezultatit të zgjedhjeve.
Në Krujë, “Bashkë Fitojmë” pretendon se në disa Qendra Votimi janë evidentuar të emëruar si anëtar të komisioneve persona në konflikt interesi me kandidatin e PS. Po ashtu, sipas tyre, administrata e Fushë-Krujës dhe Krujës kanë qenë caktuar si vëzhgues ose komisionerë të PS-së, si dhe kanë shoqëruar votuesit tek kutitë e votimit. “Bashkë Fitojmë” kërkon rinumërim të votave në ato qendra votimi ku pretendojnë për parregullsi, ndërsa akuzojnë se vota e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” nuk është vlerësuar në mënyrë korrekte nga grupet e numërimit.
Në Rrogozhinë, “Bashkë Fitojmë” kërkon rinumërimin e votave në të gjitha qendrat e votimit, për shkak se diferenca mes kandidatit të tyre dhe atij socialist ishte vetëm 30 vota, ndërkohë që numri i votave të pavlefshme është 276 vota. Sipas “Bashkë Fitojmë”, rinumërimi në Rrogozhinë është i domosdoshëm për të hequr çdo mëdyshje në rezultat.
Në Kamzë “Bashkë Fitojmë” kërkon përsëritjen e zgjedhjeve, por që votimi të kryhet në mënyrë tradicionale me fletë dhe jo me sistemin elektronik që u aplikua më 14 maj. Në ankimim, “Bashkë Fitojmë” pretendon se vota e qytetarëve të Kamzës e Paskuqanit është tjetërsuar dhe se rezultati i votimit ka qenë i programuar paraprakisht nëpërmjet votimit elektronik. Për këtë arsye “Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertim kompjuterik të çdo pajisje elektronike nga ekspertë të huaj të pavarur.
Kujtojmë se gara elektorale e 14 majit në Kamëz u fitua nga kandidati socialist Rakip Suli, i cili mori mbi 12 mijë vota më shumë se kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha. Në Rrogozhinë, fitues u shpall kandidati socialist Edison Memolla, i cili mori vetëm 30 vota më shumë se ai i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha. Po ashtu edhe në Krujë kandidati socialist Artur Bushi fitoi përkundrejt kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Agron Loka, me një diferencë prej me shumë se 9 mijë votash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




