14 maji/ Belind Këlliçi thirrje qytetarëve: Mos e shisni votën për të ruajtur vendin e punës

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi iu ka bërë apel qytetarëve të Tiranës, që të mos e shesin votën apo të intimidohen për shkak të ruajtjes së vendit të punës.
I pranishëm në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokristiane, Belind Këlliçi tha se 14 maj kryeqytetasit duhet të ndëshkojnë me votë këdo që vjedh apo tallet me qytetarët.
“Dhe i bëj një apel nga këtu të gjithë qytetarëve: marrëdhënia me votën duhet të jetë e shenjtë, mos u intimidoni. Unë e di që ka një presion të jashtëzakonshëm ndaj administratës publike. Unë e di që ka një represion total ndaj atyre që janë në punë për të mos votuar Belind Këlliçin në datën 14 maj.
Unë e di që Erion Veliaj po i kërkon me lista me nga 10 punonjës të gjithë drejtorëve të tij në Bashkinë e Tiranës për të mbajtur vendin e punës. Po kur të shkoni te kutia e votimit jeni vetëm ju dhe Zoti, askush tjetër.
Mos e shisni shpirtin për 50 mijë lekë apo për vendin e punës. Mendoni katër vitet e ardhshme, mendoni të ardhmen e këtij qyteti.
I ndëshkoni me votë ato që tallen me ju, i ndëshkoni me votë ata që vjedhin çdo ditë. E nëse Belindi nuk mban premtimet pas 14 majit, ndëshkoni edhe Belind Këlliçin më vonë”-u shpreh Belind Këlliçi.
Këlliçi prezantoi para anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokristiane, 5 prioritetet e tij për drejtimin e Tiranës, duke vënë theksin te: transporti publik falas, ulja e taksave për biznesin e vogël dhe të mesëm, hapja e nënkalimit te “Sheshi Skënderbej”, ndërtimi i 500 oazeve të gjelbërta apo dhe ndërtimi i shkollave, kopshteve dhe çerdheve në çdo njësi të Tiranës. Edhe në këtë takim, Belind Këlliçi përsëriti premtimin se Teatri Kombëtar do të ndërtohet në vendin ku ishte dhe siç ishte, ndërsa tha se veç tij, do të ndërtohet edhe një tjetër teatër në kryeqytet.
Nga ana tjetër, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka ka theksuar se Këllici është modeli i duhur në politikë, ndryshe nga Rama, Basha dhe Veliaj.
“Ne patëm dy modele të dështuara për fatin e keq, se gjithmonë flitet se të rinjtë zënë vendin e tyre, por dështuan.
Dështoi Lulzim Basha me turp, dështoi Erion Veliaj me turp. Pra një njeri që është më i keq se padroni i tij, Edi Rama.
Një njeri që nuk u bë asnjëherë një menaxher, politikan, burrë shteti jo e jo. Pra janë këto dy modele të dështuara, që padiskutim që misioni i Belindit Rritet akoma më shumë”-tha Ndoka.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokristian, theksoi se sot Tirana është bërë një qytet i pajetueshëm për shkak të ndërtimeve pa kriter, trafikut dhe kostove të jetesës. Ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mbështesin Belind Këlliçin në 14 maj, për të larguar modelet negative të drejtimit të qytetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




