14 maji/ Gjiknuri në Elbasan: Konsolidojmë partneritetin qeveri-bashki! Llatja: Kemi taksat më të ulëta

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri dhe kandidati socialist për Elbasanin në garën elektorale të 14 majit, Gledian Llatja, njëherazi dhe kryebashkiaku aktual, u ndalën në një takim me banorët në Katund të Ri në Ri.
Në fjalën e tij, Gjiknuri u kërkoi votën qytetarëve, teksa tha se pas 14 majit do të konsolidohet edhe më tej partneriteti qeveri-bashki për të shumë investime.
“Gledi në këtë garë nuk është vetëm. Pse s’është vetëm? Gledi në këtë garë ka Partinë Socialiste, qeverinë shqiptare. Kundërshtari do ta paraqesë këtë garë kur vjen në Elbasan sikur është gara mes dy individëve. A thua se po bëhet gara për kryetarin e fshatit apo dy njerëz që i vë në ring aty kush bokson më mirë. Jo! Kjo është garë për qeverisjen e Elbasanit, për administrimin e bashkisë së Elbasanit dhe për të përmbushur angazhimet që kanë dhe që presin qytetarët e Elbasanit. Kjo gjë nuk bëhet vetëm. Kushdo të jetë kryetar bashkie në Elbasan me taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk i adreson dot të gjithë nevojat. Kjo është e vërteta. Duhet patjetër të ketë një partner të fortë. Dhe partneri i fortë është mazhoranca, është qeveria e Partisë Socialiste”, tha Gjiknuri.
Llatja u shpreh se Elbasani ka taksat më të ulëta në të gjithë vendin, teksa vuri theksin te mbështetja për shtresat në nevojë.
“Ne sot në bashkinë e Elbasanit kemi taksat më të ulëta, jemi një bashki sociale. Janë gati 5600 familje që trajtohen me kemp, 4800 familje që janë me ndihmë ekonomike. Të gjitha këto ne i përjashtojmë nga taksat tona kryesore. Ai që është pensionist i vetmuar ne e kemi përjashtuar nga taksat dhe tarifat, ai që është emigrant, familjet e emigrantëve të cilët janë të regjistruar si emigrant janë të përjashtuar nga taksat dhe tarifat. Ne i kemi hequr taksat vendore, pra i kemi përjashtuar emigrantët nga taksat sepse është logjike, nuk ka pse të paguajnë taksë pastrimi dhe ndriçimi kur ai nuk jeton këtu, dhe realisht këta janë përjashtuar”, u shpreh Llatja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




