14 maji/ Këlliçi: Fokus, ulja e kostove të jetesës për qytetarët! Transport urban falas jo vetëm në qytet, por edhe në fshat

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi ka deklaruar se oferta e tij për qytetarët e kryeqytetit në garën elektorale të 14 majit është ulja e kostove të jetesës.
I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Këlliçi tha se ky qëllim qëndron edhe në bazë të projektit të propozuar prej tij për transport publik falas që, sipas tij, do të jetë jo vetëm në qytet, por edhe në fshat.
“Do kthej përmbys modelin aktual të Bashkisë së Tiranës, një model korruptiv ku paguhen pronarët e inceneratorit të Tiranës që janë në kërkim. Një model ku kryetari i Bashkisë ka humbur çdolloj relate me qytetarët, nuk ka llogaridhënie dhe nuk ka një mirë menaxhim të fondeve. Unë jam fokusuar te ulja e kostove të jetesës për qytetarët duke filluar nga autobusët falas, propozim që i ka nxjerrë jashtë loje këta sepse unë kam vendosur që vetëm me 6.8% të buxhetit të bashkisë t’i shërbej 200 mijë qytetarëve në ditë. Projekti do të realizohet edhe në qytet edhe në fshat. Në qytet tarifa është 40 lekë dhe në fshat varion deri në 200 lekë një rrugë, pra banorët e Shën Gjergjit duan 400 lekë për të ardhur në Kinostudio dhe për t’u kthyer. Edhe për ata do të jetë falas. Janë 200 mijë qytetarë në ditë që përdorin transportin urban. Detyra e një kryebashkiaku është të jetë administrator i taksave, t’i përkthejë taksat e qytetarëve në mundësi dhe investime”, tha Këlliçi.
Për të përmirësuar shërbimin, Këlliçi u shpreh se do të vendoset një fond prej 5 milionë eurosh si garanci në vit për modernizimi e flotës e po ashtu edhe stacioneve të autobusëve.
“Qëllimi im është të subvencionohet e gjithë fatura për qytetarët që përdorin transportin publik. Do vendoset një fond 5 mln euro si garanci në vit për modernizimin e flotës dhe të stacioneve të autobusëve. Qëllimi është të rritet edhe shpejtësia me të cilën lëviz autobusi nëpërmjet një korsie të dedikuar”, u shpreh ai.
Në lidhje me problematikën e mungesës së vendeve të parkimit në kryeqytet, Këlliçi tha se propozimi i tij është ndërtimi i parkimeve nëntokësore.
“Ajo që ne mendojmë është parkimi nëntokësor, duhet eksploruar nëntoka për të dhënë zgjidhej të caktuara në zona të caktuara. Janë zgjidhje të tilla që mund të vendosen në zona të caktuara që shfrynë problemin e parkimit në shumë zona. Është problematikë dhe nuk them që do ta zgjidh 100%, por do të jetë në fokus zgjidhja e këtij problemi”, deklaroi Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




