14 maji/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Partitë politike të respektojnë lirinë e medias

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar që partitë politike që të konkurrojnë në mënyrë të ndershme dhe transparente për zgjedhjet vendore të 14 majit si dhe t’i japin hapësirën e nevojshme medias për të mbuluar aktivitetet e tyre.
Sipas Komitetit Shqiptar i Helsinkit, nëse partitë politike kufizojnë hapësirën e transmetimit të medias kjo do të krijonte një mjedis tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve.
“Pavarësisht nga fakti se legjislacioni ynë zgjedhor nuk është ndryshuar në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, KShH i sugjeron subjekteve zgjedhore të konkurrojnë në mënyrë të ndershme dhe transparente karshi publikut, duke i mundësuar medias hapësirën e nevojshme, për të mbuluar në mënyrë të pavarur dhe të lirë aktivitetet e tyre.
Në të kundërt, kufizimi i hapësirave të transmetimit të medias do të krijonte një mjedis tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Gjithashtu Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar që media të mos jenë e kushtëzuar për të transmetuar materialet e partive politike përgjatë fushatës elektorale.
“KShH vlerëson se, në funksion të plurarizmit mediatik, lirisë editoriale dhe nevojës për të verifikuar informacion gjatë periudhës zgjedhore, është shumë e rëndësishme që media të mos jetë “e detyruar” apo “kushtëzuar” ti referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike, duke përfshirë këtu filimimet e pararegjistruara, programet e disponueshme në formatet dixhitale që shkarkohen në internet (podcast), apo forma të tjera të transmetimit live që krijojnë një mjedis vetë-censurues, tepër të dëmshëm për lirinë e medias në vendin tonë”, shkruhet më tej në njoftim.
KShH i sugjeron KQZ-së që të ketë në konsideratë këtë problematikë dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, gjatë fushatës së ligjshme zgjedhore që fillon në datën 14 Prill 2023, çka do ti shërbente barazisë proporcionale të subjekteve zgjedhore dhe do të respektonte të drejtën dhe lirinë e medias audiovizive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




