14 maji/ KQZ mblidhet sot për ankesat e PD-së, hidhet shorti për caktimin e relatorëve

Në mesnatë skadoi afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partie, deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor, për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore.
Në orën 10:00 të ditës, në KAS do të hidhet shorti për të përcaktuar relatorët e dy kërkesave ankimore të depozituara nga Berisha e Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt. Në një letër zyrtare të firmosur nga Sefa, thuhet se Basha është dorëhequr dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë sipas rregullave.
Dy grupet e PD-së, si ajo e Berishës edhe e Alibeajt pas kërkesave të depozituara në KQZ, tanimë u ‘përplasën’ në KAS dhe kërkojnë zgjidhjen se cila PD do regjistrohet në zgjedhje.
Sali Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike. Në argumentim, Berisha thotë se KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha, vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara. Kërkesa e Rithemelimit, në datën 9 mars nuk u pranua në KQZ për shkak se Lulzim Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Sali Berisha.
Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.
Kerkesa Ankimore të grupeve… by Rtsh Faqe
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




