14 maji/ Meta: Gramshi i keqqeverisur nga e majta, njësoj si Tirana

Në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Gramsh, Hasim Çekrezi, ka marrë pjesë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në fjalën e tij, Meta ka deklaruar se përgjatë katër viteve të fundit qyteti i Gramshit por edhe shumë qytete të tjerë në vend janë ndodhur nën keqqeverisjen e majtë, njësoj si Tirana.
Sipas Metës, bashkia e Tiranës nuk ka zhvilluar as mbledhje të këshillit bashkiak për të paraqitur propozime dhe alternativa siç ndodhte dikur.
“Shpesh mendoj si ikën 4 vjet me një pushtet monist ilegjitim. Pa një këshilltar të opozitës anë e mbanë Shqipërisë. Një kohë e humbur, një shkatërrim për bashkitë tona kudo, një zgjedhë e pa merituar për qytetarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ju e dini shumë mirë sesi është keqqeverisur Gramshi në këto 4 vite. Por unë e di shumë mirë sesi është keqqeverisur Tirana në këto 4 vite.
Asnjë nuk e di në Tiranë se kush ka qenë kryetari apo kryetarja e Këshillit të Bashkisë në 4 vjet, as ju nuk e dini. Sepse kurrë nuk është bërë një mbledhje e këshillit bashkiak siç bëheshin përpara 4 vitesh siç bëheshin gjithmonë.
Me debate, me alternativa, me propozime, me amendamente për buxhetet, për taksat vendore, jo asnjëherë”, është shprehur Meta.
Ai shtoi se 1 miliard euro taksa të qytetarëve të Tiranës janë shpërdoruar. Sipas tij, kur një gjë e tillë ka ndodhur në Tiranë, mund të mendohet lehtësisht se çfarë ka ndodhur në Gramsh.
“Mbi 1 miliard euro taksa të qytetarëve të Tiranës janë shpërdoruar në errësirë të plotë. Dhe kur kjo ka ndodhur në Tiranë, ju e dini shumë mirë, çfarë ka ndodhur në Gramsh, çfarë ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ndaj koalicioni jonë ‘Bashkë Fitojmë’, rikthen kontrollin tuaj mbi bashkitë dhe mbi këshillat bashkiakë”, është shprehur Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




