14 maji/ Meta pret shefen e Misionit të ODIHR-it: Shqetësuese përdorimi i fondeve publike për fushatë! Glover takim dhe me Berishën

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover ka nisur takimet lidhur me zgjedhjet e 14 majit nga opozita. Takimin e parë Glover e zhvilloi me Ilir Metën në selinë e Partisë së Lirisë.
Në fokus të diskutimit ishte pikërisht mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 14 majit si dhe zhvillimi i një fushate dinjitoze nga kandidatët e të gjitha partive.
Pas takimit, meta ka informuar se u diskutua mbi “shqetësimet e shumta që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal në 14 maj”.
Një nga shqetësimet e paraqitura nga Meta janë problematikat me listat e zgjedhësve si dhe përdorimin e fondeve publike dhe administratës publike për fushatë.
“Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.
Gjithashtu ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.
Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.
Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.
Gjithashtu ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit”, tha Meta.
Në fund, Meta thotë se ka shprehur gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.

Pas takimit me Metën, Audrey Glover zhvilloi një takim edhe me Sali Berishën. Pas takimit, Berisha tha se “Zonja Glover ishte në një takim për t’u informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet e zgjedhjeve në Shqipëri, ku ne paraqitëm të gjithë problematikët”.
Edhe pse Berisha nuk është zyrtarisht i regjistruar si subjekt zgjedhor për 14 majin, kandidatët e tij të dalë nga primaret e zhvilluara nga “Rithemelimi” do të jenë ata që do të garojnë në emër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Audrey Glover ka monitoruar disa palë zgjedhjeve në Shqipëri si drejtuese e misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it. Zgjedhjet e para që monitoroi kanë qenë ato të vitit 1996 kur kryesonte misionin afatgjatë të vëzhgimit.
Misioni i ODIHR në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 14 majit do të përbëhet nga 324 vëzhgues.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




