14 maji/ Nesër, afati i fundit për partitë në zgjedhjet vendore, PD e Alibeajt konfirmon regjistrimin

Politikë | 4 vite më parë

E hëna e 6 marsit 2023, është jetike për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, duhet të regjistrohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 6 mars, pra 70 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

Deri tani në KQZ, nga subjektet e rëndësishme në skenën politike, është regjistruar PS dhe PL. Sa i përket PD-së, gjithshka ishte pezull, pasi regjistrimi ishte në varësi të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ktheu edhe një herë për shqyrtim në themel vendimin e dhënë nga gjyqatari Zhukri, i cili njohu dokementet e “Rithemelimit“, si përfaqësuese të PD-së.  

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, “Rithemelimi“ i Berishës nuk ka asnjë hapësirë juridike për t‘u regjistruar si subjekt politik i PD-së në zgjedhjet e 14 majit, pasi zyrtarisht si drejtues i PD-së njihet, Enkelejd Alibeaj.

Burizme zyrtare nga PD e drejtuar nga Alibeaj, bënë të ditur për rtsh.al, se nesër, datë 6 mars, do të jenë përfaqësuesit juridik të PD-së, ata të cilët do të regjistrojnë këtë subjekt politik në KQZ, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.  

Mbështetur në vendimin e Gjykatës së Apelit, është Alibeaj, ai që ka tagrin e regjistrimit të PD-së në zgjedhjet vendore të 14 majit.      

Bazuar edhe në deklarimet e bëra, “Rithemelimi“ duket se ka pasur edhe një plan “B“, pasi mësohet se për hyrjen në  zgjedhjet vendore, do të ndjekë të njëjtën taktikë që ndoqi në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, duke u regjistruar si koalicion me LSI-në, sot PL.

Kalendari për regjistrimin e partive, kandidatëve, koalicioneve

1/ Bazuar në Kodin Zgjedhor, më 13 Janar të 2023 fillon afati për raportimin e institucioneve publike në lidhje me veprimtaritë e tyre me karakter publik, të cilat ata planifikojnë t’i zhvillojnë gjatë periudhës zgjedhore.

2/ Në 6 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike, pra jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

3/ 15 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve.

4/ 27 Mars 2023 përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar të bashkisë, si dhe të listave shumë emërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.

5/ Më 14 Prill fillon fushata zgjedhore.

6/ Në 8 Maj përfundon afati për publikimin e sondazheve.

7/ Në 13 Maj 2023 përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore.

/rtsh.al/ a.meta/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme