14 maji/ PD hap zyrtarisht fushatën, Alibeaj: Partia nën agresion, Berisha, Meta dhe Rama po e sulmojnë pa ndalur

Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht këtë të martë (18 prill) fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit. Slogani i PD-së do të jetë “Frymëmarrje për Shqipërinë”, ndërsa takimi po mbahet në Pallatin e Sportit, “Fahrie Hoti”.
Në fjalën e tij, kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj nuk la pa “shigjetuar” kundërshtarët e tij politikë, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama, kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-kryedemokratin Sali Berisha se janë bërë bashkë për të sulmuar Partinë Demokratike.
“Moment feste në një kohë të vështirë për ne. Po bëhet më shumë se 1 vit e gjysmë që një sulm i mirë organizuar vijon të bëhet ndaj PD. Kjo parti ka rëndësi të madhe për fatet e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Sot kjo parti është nën agresion. PS, pasardhëse e ish-komunistëve shqiptarë, me në krye një kryeministër mafioz, një pazarxhi politik si Ilir Meta, bashkë me Sali Berishën, ish- drejtuesi jonë i shpallur “non grata”, nën koordinim të hapur, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur. Agresion politik, ligjor e madje edhe fizik, e mbani mend 1 vite më parë. Kjo sepse kjo parti është ndryshe nga ata. Dinozaurët e politikës së vjetër nuk mund ta pranojnë dot që një forcë politike të jetë jashtë kontrollit të tyre personal”, tha Alibeaj.
Sipas Alibeaj, zgjedhjet e 14 majit do të jenë shumë të rëndësishme për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, teksa shtoi se qëllimi i tyre është të krijohet klima për bashkimin e partisë. Ai u shpreh se Berisha është shkaku kryesor i përçarjes së partisë, ndërsa theksoi se bashkimi i opozitës “do të vij kur të eliminohet ky shkak”.
“Misioni ynë është të shmangim perceptimin se opozita është e pashpresë pasi është e kapur nga dy figura të korruptuara dhe anti-perëndimore. Ne nuk duhet të lëmë qytetaret e Shqipërisë pa alternativë. E gjithë përpjekja jonë është që këto zgjedhje të prodhojnë një klimë për bashkimin e PD-së pas zgjedhjeve. Dhe kjo klimë krijohet jo duke mbështetur non-gratat, por duke e bërë të qartë se mbajtja e tyre në krye të opozitës është mbajtje në pushtet e Edi Ramës. Non-grata është shkaku i përçarjes së PD-së dhe bashkimi i opozitës do të vij kur të eliminohet ky shkak. Janë gur themeli për atë që do të jetë Partia Demokratike pas 14 majit”, deklaroi Alibeaj.
Referuar vendimit të 9 shtatorit të ish-kryedemokratit Lulzim Basha, i cili përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar, Alibeaj tha se ishte i duhur, teksa shtoi se “asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë”.
“Në lidhje me Sali Berishën i qëndrojmë vendimit të 9 shtatorit. Ai ka qenë një vendim i drejtë dhe i arsyeshëm i ish-kryetarit të Partisë Demokratike, proporcional në raport me zgjedhjen themelore që kjo parti ka bërë në dhjetor të vitit 1990, qëndrimin euro-atlantist. Asnjë non-grata i çfarëdo lloji nuk ka vend në Partinë Demokratike, aq më pak të na udhëheqë, aq më tepër të na përdorë apo manipulojë demokratët e Shqipërisë, njerëzit më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi, në shërbim të qëllimit të tij”, tha Alibeaj.
Alibeaj prezantoi edhe Roland Bejkon si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Partia Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt do të kandidojë me vetëm 16 kandidatë për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.
Kandidatët e PD për 16 bashki:
Bashkia Vau-Dejës- Klomentina Drini
Bashkia Dibër– Naim Gazidede
Bashkia Mirditë- Mark Ruçi
Bashkia Kamëz- Bilbil Bajraktari
Bashkia Tiranë- Roland Bejko
Bashkia Dimal- Dritan Sula
Bashkia Kucovë – Ilirjan Koxhaj
Bashkia Fier- Eriselda Zotaj Çelaj
Bashkia Polican -Florjan Qama
Bashkia Mallakastër- Agron Kapllanaj
Bashkia Patos- Pranvera Rizaj
Bashkia Gjirokastër -Shemsho Lamaj
Bashkia Këlcyrë- Adriatik Spahiu
Bashkia Tepelenë- Sokol Guga
Bashkia Finiq- Leonidh Papa
Bashkia Sarandë- Skënder Muço.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




