14 maji/ Përfundon mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD-së së Alibeajt

Politikë | 4 vite më parë

Ora: 18:10

Kryetarët e degëve të grupit të Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj kanë diskutuar që prej orës 11:00 të paradites së sotme deri pak minutash mbi situatën zgjedhore.

Shumica prej tyre janë shprehur për të hyrë në zgjedhjet vendore të 14 majit duke diskutuar mbi emrat e 17 kandidatëve që pritet të garojnë për postin e kryetarëve të bashkive dhe këshilla bashkiakë në 61 bashki të vendit.

Ndërkohë që mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve ka përfunduar para pak minutash, tashmë pritet që vendimet e marra në këtë mbledhje të zyrtarizohen nga kryesia e Partisë Demokratike të grupit të Enkelejd Alibeaj përgjatë orës 18:00.

PD pa vendim për 14 majin! Alibeaj mbledhje intensive për nxjerrjen e emrave, Berisha mbledh Kryesinë

Kjo e shtunë është një ditë mjaft intensive për demokratët. Teksa na ndajnë 2 ditë nga afati përfundimtar për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë, debatet brenda Partisë Demokratike vijojnë të jenë të forta për vendosjen e mënyrës se si kjo parti do të dalë në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Prej orës 11.00 po zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve, ku demokratët janë ende të ndarë në qëndrimet e tyre. Një pjesë e deputetëve Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Dhurata Çupi, Dash Sula, Saimir Korreshi dhe Bledion Nallbati kërkojnë të futen në zgjedhje vetëm për këshillat bashkiakë, ndërsa Enklejd Alibeaj, Oriola Pampuri, Flutura Açka, Arbi Agalliu e Kreshnik Çollaku kërkojnë kandidatë për 61 bashkitë në vend.

Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve, Alibeaj pritet të takohet me kandidatët për kryetar bashkieqë ka prezantuar deri tani, ndërsa kjo do të pasohet nga një tjetër mbledhje e Kryesisë në orën 18.00 ku dhe do të dalin zyrtarisht me një vendim përfundimtar për 14 majin.

Për shkak të përçarjeve të brendshme një pjesë e demokratëve kanë preferuar të kandidojnë si emra të zgjedhur nga primaret e “Rithemelimit” të Sali Berishës, të cilët pritet të jenë edhe kandidatë zyrtarë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” me Ilir Metën.

Po sot edhe Sali Berisha do të mbledh kryesinë në orën 21.00, ku do diskutohet për miratimin e listave emërore të këshilltarëve bashkiakë të bashkive të vendit për Koalicionin “Bashke Fitojmë”.

Më 27 mars shënohet edhe afati i fundit i regjistrit të kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme