14 maji/ Rama dhe Veliaj nga Kavaja: Berisha dhe Meta, hije të së shkuarës! Vota për ta, biletë për të ecur mbrapsht

Kreu i Partisë Socialiste dhe njëherazi kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të shtunë (15 prill) në Kavajë, ku zhvilloi një takim me qytetarët, në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Në fjalën e tij, Rama nuk la pa atakuar kundërshtarët politikë, kreun e PL-së, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke i quajtur “hije të së shkuarës”. Sipas Ramës, vota për koalicionin “Bashkë Fitojmë” është “biletë për të ecur mbrapsh”.
“Kur ata e rimorën Kavajën, Bashkia u vu në dispozicion të një grupi që funksionon si bandë grabitqarësh dhe kurdoherë atyre u besohet pushtet. Po mirë mo a keni një minimum ndjeshmërie për fëmijët tuaj se ka shumë ndryshim nëse fëmijët dalin ë një qytet që është i pastruar apo në një qytet ku dalin plehrat në 4 anë. Dy hije të së kaluarës që janë bërë bashkë për të marrë peng Kavajën e ça të munden. Me ça logjike mund të mendohet se vota për ndriçimin, gjelbërimin, për ndryshime të infrastrukturës mund të shkojë pa asnjë logjikë te dy hije që nuk e duan Kavajën për ta bërë më të bukur se kur e kishin vetëm e shëmtuan. Të ma tregojnë një bashki që kur e kishin në dorë nuk e shëmtuan. Kush i jep votën atyre, i pret vetes biletën për të ecur mbrapsht”, tha Rama.
I pranishëm në Kavajë ishte edhe Erion Veliaj, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, i cili e vuri theksin te qëllimi i socialistëve për të zhvilluar një fushatë të gjelbër.
“Ne duam të bëjmë një fushatë që kur të kthehemi në punë, mos të jemi aty për mbledhur mbeturinat që prodhojnë banderolat e fushatës. Nëse disa duan të mbjellin sherr dhe helm, ne duam të mbjellim pemë. Ta vazhdojmë këtë rrugëtim që kemi nisur. Nga Kavaja ne të fillojmë një sprint për të gjitha njësitë e Tiranës dhe vetëm duke ecur përpara mund ta bëjmë Kavajën të mbajë kokën lart”, u shpreh Veliaj.
Në përfundim të takimi, në Kavajë u mbollën pemë, në kuadër të angazhimit të PS, ku kanë deklaruar se gjysmën e shpenzimeve të fushatës elektorale do të shkojnë për gjelbërimin e bashkive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




