14 maji/ Rama në Shirokë: Bashkia s’na jep lejen për ujësjellës! Beci: Hyrjen e Shkodrës do e shndërrojmë në park 18 hektarë

Partia Socialiste vijon me fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit, teksa kryeministri Edi Rama dhe kandidati për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci u ndalën pasditen e kësaj të diele në Shirokë. Kryeministri Edi Rama akuzoi Bashkinë e Shkodrës se po i pengon për ndërtimin e ujësjellësit në Shirokë, duke mos i dhënë lejen, ndërsa tha se projekti është gati.
“E kemi bërë projektin për ujësjellës, e kemi lidhur kontratën për të nisur punën. Bashkia Shkodër nuk na jep lejen. Nuk jep lejen të vijë uji dhe me sa më rezulton, uji jo vetëm që shkon në çezmat e të gjithëve përfshirë dhe demokratët, nuk më rezulton që kur duan ujë, e duan blu, por e duan të pastër. Kurse ata duan që demokratë e socialistë të kenë etjen blu. Kjo është mesjeta e thellë në mendjen e atyre që drejton sot bashkinë. Kurdo që kemi pasur mundësi të bëjmë punë për Shkodrën, e kemi bërë. Nuk e di si funksionon në mendjen e ndonjë të djathti por s’më ha mendja të jetë llogaria e saktë që do njeri të shkojë në Velipojë duke u futur nëpër gropa. Dhe e bëmë rrugën Shkodër-Velipojë. Edhe atë të Thethit ne e bëmë”, tha Rama.
Kandidati socialist, Benet Beci u ndal në ato që i konsideroi shtyllat kryesore të programit të tij. Ai përmendi ekonominë si një nga pikat kryesore, teksa tha se do të ketë prioritet tëërheqjen e investimeve publike dhe private. Po ashtu Beci përmendi edhe disa investime, ku si më kryesorin, përveç urës së Bunës, përmendi hyrjen e qytetit të Shkodrës, teksa tha se do të shndërrohet në një park prej 18 hektarësh.
“Kam paraqit një program që e kemi shpallur dhe 3 shtyllat kryesore do t’i them shkurt. Ekonomia, e kemi në program si gjënë kryesore, investimet publike dhe privat dhe punësimet. E dyta është një bashki në punë. Na duhet një bashki që punon, përtej diskutimeve politike, bashkia duhet të jetë në punë, e hapur dhe komunikuese me njerëzit. Detyrat e bashkisë janë ato që i shohim kudo dhe që nuk po bëhen dhe duhet filluar menjëherë. Bashkëpunimi me qeverinë dhe donatorët është një mundësi e jashtëzakonshëm që duhet të sjellim në Shkodër. Shkodra nuk ka një hyrje dinjitoze për të ftuar ata që duan ta vizitojnë për të parë brendësinë e Shkodrës që është arti, kultura e sporti që ne kemi nevojë t’ja tregojmë botës, por për këtë ne kemi nevojë për një investim të jashtëzakonshme që kemi përgatitur që është hyrja e Shkodrës. Është parku më i madh që do të bëhet që do të rregullojë trafikun dhe do të jetë parku publik 18 ha që është një park shumë i madh i rëndësishëm, mushkëri e qytetit në buzë të Bunës dhe liqenit. Projekti është multifunksional, ka brenda një mundësi të lundrimit në hyrje të Shkodrës siç ka parqe dhe zona të tjera rekreative të lidhura me kalanë. Ura e Bunës, që Shkodra të jetë qendër rajonale dhe për këtë ajo ka nevojë të lidhet. Projekti i tretë, mendoj se kemi nevojë të urbanizojmë qytetin. Nuk mund të ketë më një Shkodër pa rrugë të asfaltuara po zonat periferike pa rrugë fare. Nuk do ketë më asnjë rrugë të paasfaltuar”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




