14 maji/ Veliaj prezanton kandidatët për këshillin bashkiak: Ata që u larguan për 4 vjet tani rikthehen me gënjeshtra

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Socialiste të kryeqytetit dhe njëherësh drejtues politik i Qarkut të Tiranës ka prezantuar sot pasdite kandidatët për Këshillin Bashkiak të Tiranës për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Duke folur para mbështetësve socialistë, Veliaj ka deklaruar se ata që u larguan për 4 vjet nga drejtimi i pushtetit vendor sot vijnë me gënjeshtra të reja.

Sipas Veliajt, ata e braktisën detyrën dhe tani duan të rikthehen në pushtet.

“Nëse një fëmijë i vogël nuk shkon 4 vjet në shkollë, a e kalon dot klasën? Si ka mundësi që jetojmë sot në një vend, ku ka një standard shumë të lartë për një oficer dhe një ushtarak, ku ka një standard shumë të lartë për një mjek dhe një infermier, ku ka një standard shumë të lartë për një mësuese dhe një edukatore, ku ka një standard shumë të lartë për një fëmijë të vogël, dhe ndërkohë kemi kaq standard të ulët për politikën? Ata që u larguan për 4 vjet, sot vijnë me rrena të reja, për një tram të ri, me çudira të reja, por në fakt e braktisën detyrën për 4 vjet” u shpreh Veliaj.

Veliaj vuri në dukje se 4 vitet e fundit qeveria dhe pushteti vendor u përball me tërmetet dhe pandeminë duke mos lënë në baltë asnjë qytetar.

“Këto që kaluam ishin 4 vitet më të vështira, patëm dy tërmete, një pandemi, dhe inflacionin e luftës, por di t’ju them se pavarësisht bindjes që keni, pavarësisht si keni votuar, pavarësisht çfarë tesere keni, kush voton një socialist, voton dikë që nuk e braktis detyrën kurrë, nuk e lë kurrë vendin e punës. Kjo parti, partia jonë, ka qenë edhe në opozitë, në një opozitë shumë të vështirë, me sakrifica të mëdha, një opozitë kur vriteshin njerëz në bulevard. Sot na duken sikur kanë ndodhur në mesjetë, në një vend tjetër, por kurrë s’e kemi braktisur detyrën”, theksoi Veliaj nga takimi që u mbajt te teatri veror i Liqenit Artificial.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme