15 janar, nisin aplikimet për shpërndarjen e naftës me çmim të reduktuar për të gjithë fermerët që kanë një NIPT

Ekonomi | 6 vite më parë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, Milva Ekonomi ka deklaruar se sfida e këtij viti është shpërndarja e naftës me çmim të reduktuar për të gjithë fermerët që kanë një NIPT. Në një intervistë për ATSH-në, ministrja tha se “ky proces nis në 15 janar të këtij viti dhe MBZHR është në këmbë për ta bërë të mundur zbatimin me sukses të këtij premtimi, që ka marrë qeveria për fermerin”.
Ekonomi bëri të ditur se, “fermerët përfitojnë naftës sipas strukturës së mbjelles që kanë dhe mekanizimit që bëjnë në sipërfaqen e mbjellë me një kulturë të caktuar bujqësore”.
“Përfitojnë të gjitha kulturat me pëjashtim të sipërfaqeve të mbjella me ullinj”- tha ministrja.
Duke u ndalur në hapat që duhet të ndjekë një fermer për të aplikuar online për naftë me çmim të reduktuar, Ekonomi theksoi se “ne kemi një fat të madh që e- Albania është vënë në dispozicion të plotë të shërbimeve ndaj qytetarëve me administratën dhe në këtë vit të pandemisë, e-Albania tregoi se ishte ndihma më e madhe që iu dha bizneseve dhe qytetarëve”.
Ekonomi tha se, Ministria e Bujqësisë, do të ndihmojë pa kufizim të gjithë fermerit për të bërë aplikimin. “Fermerët do të aplikojnë nga data 15 janar deri më 25 shkurt 2021, në portalin e-Albania për të përfituar naftë me çmim të reduktuar për bujqësinë. Ky është një proces i cili synon të ndihmojë fermerin deri 10 ha por padyshim që përfitojnë edhe ata me sipërfaqe mbi 10 ha. Por qëllimi është mbështetja e fermerëve të vegjël”- tha Ekonomi.
Për vitin 2021, buxheti i shtetit ka shtuar një fond prej 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë.
Nafta për fermerët nuk do të ketë më taksën e akcizës (37 lekë), taksën  e qarkullimit (27 lekë) dhe as taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë).
Fermerët me NIPT marrin 1 litër naftë 54 % më lirë nga sa e merrnin më parë. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë.
Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit, janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda këtij viti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme