15 vjet Zyra e Komisioneri/ Romina Kostani: Portali “Open Data” do pasurohet me më shumë të dhëna dhe do bëhet edhe më i arritshëm për qytetarët

Në kuadër të 15-vjetorit të Zyrës së Komisionerit u zhvillua sot konferenca “E drejta për informim – Hapje, Transparencë, Digjitalizim”, nga institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Zyrën e Këshillit të Evropës (KiE) në Shqipëri.
Në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë mbi 150 përfaqësues të autoriteteve publike qendrore e të varësisë, të pavarura, të sistemit të drejtësisë apo të vetëqeverisjes vendore, kishte në fokus vlerësimin e nivelit të zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Të ftuar nderi në këtë aktivitet, ishin znj. Ermonela Felaj Valikaj, Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Milva Ekonomi, Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, z. Olsi Dekovi, Zëvendëskreu i Zyrës Këshillit të Evropës dhe z. Sam Goldbart, Sekretari Parë i Ambasadës Britanike.
Komisioneri, z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij tha se “Kjo veprimtari intensive përfshin edhe procesin e integrimit evropian dhe atë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, në dy prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të drejtën për informim dhe të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, të hapur dhe komunikues me publikun dhe që meriton të vendoset në pozicionin e duhur kushtetues dhe institucional. E drejta për informim, në të tre komponentet e saj, ku në qendër është qytetari së bashku me shoqërinë civile, median apo çdo aktor tjetër, me autoritetet publike si dhe Zyra e Komisionerit, duhet të funksionojnë bazuar në një marrëdhenie luajaliteti institucional, sepse kjo garanton zbatimin e kësaj të drejte për të parët, ashtu si dhe reflekton transparencën dhe mirëqeverisjen për institucionet publike. Zyra e Komisionerit e ka ndërtuar strategjinë e punës së saj te edukimi dhe ndërgjegjësimi. Ne besojmë fort se, rregulli është transparenca, kufizimi i informacionit është përjashtim nga ky rregull.”
Portali i të dhënave të hapura “Open Data” do të pasurohet me më shumë të dhëna, do të bëhet më i aksesueshme dhe më i integruar me teknologjitë e reja. Kështu deklaroi Drejtoresha e Inovacionit dhe Promovimit të e-Gov, Romina Kostani, e cila theksoi se plani do të mbështet te eksperienca e vendeve më të zhvilluara.
E pranishme në Konferencën e 5-të Kombëtare, “E drejta për Informim, Transparencë, Digjitalizim”, që u organizua nga Komisionieri për të Drejtën e Informimit, Romina Kostani u shpreh se sipas planit kombëtar të veprimit 2023 – 2025, do të zhvillohet edhe një fushatë promovuese për portalin dhe të dhënat e disponueshme në të, me qëllim informimin në aksesimin dhe shfrytëzimin e të dhënave të hapura.
“Me funksionimin efikas të Open Data, Shqipëria po i jep edhe një mundësi më tepër vetes për të qenë pranë elitës evropiane në fushën e digjitalizimit, një proces që tashmë ka nisur intensivisht 10 vite më parë me e-Albania e që AKSHI po e çon fuqishëm vit pas viti në një rrugë progresive e të pakthyeshme. Angazhimi për ngritjen dhe pasurimin e mëtejshëm të portalit Open Data me të dhëna ka qenë ndër vite pjesë e Planeve Kombëtare të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, nën komponentin e qeverisjes digjitale”, tha Kostani.
Ajo shtoi se do të mundësohet edhe një pasqyrë e saktë e të dhënave të hapura në çdo institucion dhe se informacioni që do të publikohet në “Open Data” do të jetë më cilësor dhe më leht i aksesueshëm.
“Planet tona në dy vitet e ardhshme do të nisin nga kryerja e një Vlerësimi Gatishmërie për të Dhënat e Hapura, çka do të na mundësojë të kemi një pasqyrë të saktë të të dhënave të hapura në çdo institucion. Falë zbatimit të standardeve, informacioni që do të publikohet në Open Data do të jetë më cilësor, teknikisht i saktë dhe lehtësisht i arritshëm dhe i ripërdorshëm”, saktësoi Drejtoresha e Inovacionit dhe Promovimit të e-Gov.
Portali “Open Data” është një platformë e hapur që shërben për katalogimin e të dhënave nga institucionet qeveritare. AKSHI mban peshën kryesore të ngritjes së platformës dhe funksionimit të saj teknikisht. Portali Open Data ofron më shumë se 90 grupe të dhënash në fushat e shëndetësisë, arsimit, sigurisë publike, buxhetit, e-qeverisjes, etj. Pjesë integrale e Open Data është edhe Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




