247 vjetori i pavarësisë së SHBA-ve, presidenti Begaj : Angazhimi amerikan për integrimin e Shqipërisë mbetet vendimtar!

Presidenti Bajram Begaj, ka shprehur mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar, ndërsa e ka cilësuar si vendimtar angazhimin amerikan për integrimin e Shqipërisë.
Duke folur në pritjen e organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë, me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, zoti Begaj tha se
“Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim”.
Presidenti Begaj shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.
“Ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë,” nënvizoi Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj formuloi një falënderim të posaçëm ndaj ambasadores Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri.
“Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut! Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj.” tha presidenti Bajram Begaj.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




