33 vite nga rrëzimi i bustit, Basha: Të hapen dosjet kush ka qenë spiun i jugosllavëve dhe sovjetikëve

20 shkurti 1991 shënoi edhe ndarjen përfundimtare të Shqipërisë nga periudha e komunizmit me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Në 33 vjetorin e rrëzimit të bustit, kryedemokrati Lulzim Basha kërkoi hapjen e dosjeve për ekspozimin e emrave që kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri.
Basha tha se hapja e dosjeve do t’i shërbejë sigurisë kombëtare, në një kohë ku Rusia ka infiltruar rrënjët e saj në rajonin e Ballkanit.
“Në periudhën që po përjetojmë ku Rusia dhe aleatët e vetë të fshehur në Ballkan, tani kanë filluar dalin hapur, siç është Serbia, është jetike që Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe të zbulimit, të ekspozojnë agjenturën e KGB-së dhe UBD. Ekspozimi i agjenturës jugosllave dhe sovjetike, nuk është një hap që duhet të ndërmerret në funksion të transparencës, por edhe në funksion të sigurisë kombëtare.
PD do hedhë hapin konkret të institucionalizimit të kërkesës që këto dy rrjete të dy shërbimeve ndaj më armiqësore të mos gëzojnë më mbrojtjen e pakuptimtë që jepet duke i mbajtur të fshehta emrat dhe të dhënat e këtyre dy organizatave që s’kanë patur asnjë qëllim tjetër përveç sabotimit dhe eliminimit të interesave kombëtare shqiptare. Thirrja ime në emër të PD, shumë shpejt edhe kërkesa do jetë ekspozimi i plotë i agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri”, tha Basha.
20 shkurti 1991 do të gjente shumë qytetare të mbledhur për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




