Protesta në Tiranë për të 16-ën ditë radhazi, protestuesit para Kryeministrisë, tubimi pa tensione

Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve vijoi këtë të martë për të 16-ën ditë radhazi në Tiranë.
Fillimisht, protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ku qëndruan për rreth dy orë, ndërsa më pas marshuan në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, studentët u drejtuan drejt Kryeministrisë, ku përsëritën kërkesat e tyre dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta është zhvilluar në qetësi, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë.
Autoritetet vendosën një kordon sigurie në zonë dhe morën masa për menaxhimin dhe devijimin e trafikut.
Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, duke kërkuar ndryshime dhe mbështetje për kauzën e tyre.
Më pas, një grup studentësh marshoi përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe hyri në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, ku u bëri thirrje studentëve të bashkoheshin me protestën dhe të bojkotonin procesin mësimor.
Me thirrjet “Bashkohuni me ne!”, ata vijuan marshimin drejt Fakultetit të Drejtësisë, duke kërkuar edhe mbështetjen e studentëve të atij fakulteti.
Protestuesit vijuan më tej lëvizjen në rrugët kryesore të Tiranës, duke u ndalur pranë Drejtorisë së Policisë dhe në zonën e Zogut të Zi, për t’u rikthyer më pas sërish para Ministrisë së Arsimit.
Ashtu si në ditët e mëparshme, studentët kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara nisjes së çdo procesi negociues.
Aktualisht, protestuesit ndodhen para godinës së Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre në ditën e 16-të të protestës.
Të rinjtë, studentët dhe pedagogët kanë bllokuar pjesërisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa po përsërisin kërkesat e tyre dhe po brohorasin slogane kundër qeverisë.
Situata para Kryeministrisë paraqitet e qetë, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë, të cilat janë vendosur në perimetrin e institucionit për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




