Rama u drejtohet studentëve: Bursa rritet me 15 mijë lekë, mbështetja zgjerohet edhe për masterin. Hapim dritare digjitale për dialogun
Rritja e bursave për studentët nga familjet me vështirësi ekonomike dhe zgjerimi i mbështetjes financiare edhe për nivelin master janë ndër masat e reja të njoftuara nga kryeministri Edi Rama. Në një mesazh drejtuar studentëve, Rama bëri të ditur se bursa do të rritet me 15 mijë lekë të reja për ata studentë që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj.
Sipas kryeministrit, kjo masë vjen si rezultat i rritjes ekonomike dhe synon të lehtësojë kostot e studimit për të rinjtë që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike.
Kryeministri prezantoi edhe masa të tjera që lidhen me strehimin e studentëve, duke përmendur qiratë e bashkëfinancuara nga qeveria dhe mundësinë e përfitimit të kredive me interes zero ose 3%, në varësi të kritereve dhe kushteve që do të përcaktohen me ligj.
Një tjetër nismë e paralajmëruar lidhet me praktikat profesionale. Sipas Ramës, do të vendoset një kusht për bizneset që përfshijnë studentë në praktikat e punës, duke parashikuar pagesën e tyre me një shumë të barabartë me gjysmën e pagës minimale.
“Lajmi i mirë nga ana jonë për ju, që vjen edhe ky nga ekonomia e rritur është se të gjithë studentëve që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike, bursa u rritet me 15 mijë lekë të reja, bëhet praktikisht sa një gjysmë page minimale, 25 mijë lekë dhe u shtrihet edhe në nivelin master. Në ligjin e ri për strehimin kemi parashikime të tjera lehtësuese, që nga qiratë e bashkë financuara me qeverinë, deri te kreditë me zero apo vetëm 3% interes, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara me ligj. Një risi për praktikat e punës duke vendosur kusht për bizneset që të punësojnë studentë me një gjysmë page minimale”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama njoftoi se do të hapet një dritare digjitale për komunikimin me studentët që dëshirojnë të zhvillojnë dialog të drejtpërdrejtë me të, por që, sipas tij, hezitojnë për shkak të sulmeve dhe presionit në internet.
“Do të hapim një dritare digjitale për dialogun që do t’ju shërbejë atyre që duan të dialogojnë me mua, por kanë frikë nga dhunuesit online. Shqipëria është shumë e vogël për t’u kthyer në arenë sherresh primitive”, tha Rama.
Gjatë mesazhit të tij, Rama iu referua edhe përfitimeve që, sipas tij, janë krijuar për studentët përmes Paktit të Universitetit.
Ai deklaroi se rreth 60% e studentëve, ose 6 në 10 prej tyre, përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje nga shteti.
Sipas shifrave të bëra publike nga kryeministri, 4,118 studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime, ndërsa 4,648 të tjerë përfitojnë bursë për shkak të kushteve ekonomike të familjeve të tyre. Gjithashtu, 434 studentë të shkëlqyer marrin çdo muaj një bursë në masën e pagës minimale.
“Për të gjithë ju që nuk keni nga ta dini se çfarë përfitimesh ju vijnë pikërisht nga ai Pakti i Universitetit, po ju rreshtoj: 60%, apo 6 në 10 studentë sot përfitojnë të paktën një formë mbështetje nga sdhteti. 4118 studentë marrin bursë për rezulatate të larta në studime, 4648 marrin bursë si fëmijë familjesh në nevojë. 434 studentë të shkëlqyer marrin bursë sa një pagë minimale çdo muaj. Të gjitha këto thonë që treçerekun e financimit të universiteteve publike e bën qeveria. Nëse doni ta rishikojmë paktin, bujrëm me dialog, me njerzllëk dhe durim. Unë jam në dispozicion në vendin dhe kohën që mund ta zgjidhni vetë”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




