Nga paga te antikorrupsioni, roli dhe përgjegjësitë e reja të ministrisë së Administratës Publike

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e plotë të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike. Sipas këtij akti, misioni kryesor i këtij dikasteri mbetet “zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve”, si dhe “përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies”.
Me anë të këtij vendimi, shfuqizohet zyrtarisht Vendimi nr. 522 i shtatorit 2025 (i cili rregullonte përgjegjësitë e dikurshme të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin), duke kaluar tashmë të gjitha kompetencat drejt një strukture të konsoliduar ministrore.
Fushat kryesore të veprimtarisë dhe kompetencat e reja
Vendimi përcakton disa shtylla kryesore mbi të cilat do të shtrihet veprimtaria e ministrisë. Sektorët strategjikë përfshijnë drejtimi i reformës në administratë, rekrutimi mbi bazën e meritës, zhvillimi i karrierës dhe ngritja profesionale përmes Departamentit të Administratës Publike (DAP) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA); hartimi i politikave dhe propozimi i akteve ligjore për pagat, trajtimet financiare dhe përfitimet e punonjësve në institucionet publike; monitorimi i cilësisë, afateve dhe përvojës së qytetarëve me shërbimet publike, si dhe thjeshtimi i procedurave për reduktimin e barrës administrative; garantimi i ndërveprimit mes administratës dhe individëve apo grupeve të interesit në procedurat vendimmarrëse; identifikimi dhe minimizimi i rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk.
Përveç mbulimit të veprimtarisë ligjvënëse dhe monitoruese, vendimi i ngarkon ministrit përgjegjës dy role kyçe me karakter ndërinstitucional.
Vendimi specifikon se “ministri përgjegjës për administratën publike ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit”. Gjithashtu, i njëjti drejtues do të shërbejë zyrtarisht si “bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur”.
Gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve, ministria do të bashkëpunojë me institucionet e tjera shtetërore, duke “respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




