4 korriku, Dita e Pavarësisë së SHBA! Rama dhe Begaj: Krenarë për historinë që lidh dy vendet

Politikë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë çdo 4 Korrik, Ditën e Pavarësisë. Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj kanë uruar SHBA për festën, e cila përkoi dhe me vizitën e parë zyrtare të ish-presidentit amerikan Bill Klinton në Shqipëri.

“Gëzuar 4 korrikun Amerikë. GOD BLESS YOU”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook, teksa publikon një galeri me foto nga vizita e djeshme (3 korrik) e Klinton në vendin tonë.

Ndërsa Presidenti Bajram Begaj ka shprehur mirënjohjen dhe krenarinë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Begaj shprehu gjithashtu vendosmërinë për ndërtimin e një të ardhme në të cilën ruhen dhe forcohen vlerat e përbashkëta demokratike.

“Gëzuar 4 Korrikun US. Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë”, shkruan Begaj.

Ambasada Amerikane ka uruar Festën e Pavarësisë së SHBA, ndërsa deklaron se çdo 4 korrik, miliona njerëz festojnë këtë ditë me fishekzjarrë, parada dhe gatime.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së SHBA! Çdo 4 korrik, miliona njerëz në të gjithë Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë së Amerikës me fishekzjarre, parada dhe gatime. Ka festime edhe në vende të tjera – jo çuditërisht në shumë vende demokratike, secila me traditat e veta të veçanta dhe të gjitha me respekt për liritë e sanksionuara në sistemin e SHBA”, shkruan në Facebook, Ambasada Amerikane në Tiranë.

Kujtojmë se  247 vjet më parë u ratifikua Dokumenti i Pavarësisë, një dokument ku 13 kolonitë  nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan më pas bazën dhe strukturën e Qeverisë, e cila është e ndarë në tri degë:  ekzekutive, legjislative dhe juridike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme